DURRËS, 11 nëntor 2014–  Grumbullimi i Mario Balotellit për ndeshjen kualifikuese përballë Kroacisë dhe sfidën miqësore ndaj Shqipërisë ka hapur menjëherë një debat në kombëtaren italiane. Megjithatë për të sqaruar gjithçka mendoi trajneri i të kaltërve Antonio Conte, i cili nga salla e konferencave për shtyp në Coverciano ju përgjigj pyetjeve të gazetarëve që kishin të bënin pikërisht me rikthimin e sulmuesit të Liverpoolit në përfaqësuesen 4 herë kampione Bote.

“Mario Balotelli ashtu si Cerci është një pasuri e futbollit italian. Është dicka absurde të mendosh se ai ndodhet këtu për shkak të sponsorëve. Është e vërtetë që Balotelli nuk po kalon momentin e tij më të mirë por ndoshta është më mirë kështu”. Për dy ndeshjet e radhës në sulm përvec Balotellit, ish trajneri i Juventusit ka grumbulluar edhe 4 lojtarë të tjerë të cilët janë Graziano Pelle, Ciro Immobile, Simone Zaza dhe Sebastian Giovinco dhe gjithsecili prej këtyre futbollistëve është më i avantazhuar se Supermario për të luajtur titullar përballë Kroacisë. Conte ditë më parë u shpreh se ata futbollistë që nuk do të zbresin në fushë përballë skuadrës së Niko Kovac do të luajnë kundër Shqipërisë dhe sipas të gjitha gjasave një gjë e tillë do të ndodhë edhe me Balotellin madje ky fakt u konfirmua edhe nga trajneri 45-vjecar.

“Nëse nuk luan të Dielën ai do të qëndrojë me ne edhe për ndeshjen ndaj Shqipërisë”.

Me këtë deklaratë, Conte la të kuptohej se ndaj Shqipërisë do të luajnë të gjithë ata futbollistë që nuk do të angazhohen në sfidën kualifikuese me Kroacinë. 26 janë futbollistët e grumbulluar nga numri 1 i stolit të Italisë për këto dy takime ku përvec emrave të rëndësishëm si Buffon, Chielini, Ranocchia, De Rossi, Candreva, Verrati, Marchisio apo edhe Darmian e De Scglio, Conte ka thirrur edhe futbollistë të tillë si Perin, Moretti, Rugani, Bertolacci, Bonaventura, Pasqual e Soriano që me shumë mundësi do të luajnë titullarë në ndeshjen ndaj kombëtares tonë që do të zhvillohet në stadiumin Luigi Ferraris të Gjenovës në datën 18 Nëntor.