Ndërmarrja e riciklimit të letrës dhe prodhimit të kartonit në Porto-Romano është një realitet që ndryshon përditë. Disa vjet pasi biznesmeni Bardhyl Balteza investoi të gjitha kursimet e familjes së tij për realizimin e idesë që i kthen mbeturinat e letrës në karton të vlefshëm për amballazh. Hapësira e ndotur, që dikur ishte pjesë e ish-kombinatit kimik të Durrësit, është kthyer në një fabrikë të fuqishme. Kjo ndërmarrje ka dy ortakë, Baltëza dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila zotëron 30% të aksioneve të ndërmarrjes me 75 punonjës dhe 450 klientë nga e gjithë Shqipëria. Gjithçka për të ngritur këtë biznes Balteza e ka nisur me bashkëshorten e tij Elsën dhe fëmijët. Si fillim krijuan firmën “Beba Biochem” në fillim të viteve 90-të tashmë shumë profesionale. Për të ditur më tepër rreth kësaj ndërmarrje Balteza, në një intervistë për “Dyrrah”, ka treguar ecurinë e biznesit që tashmë është ndër më të sukseshmit në vend.
Si ju lindi ideja për të ndërmarrë nismën e hapjes së një aktiviteti privat?
Në vitin 1993 si familje vendosëm dhe punuam së bashku për të hapur aktivitetin tonë. Ideja më lindi sapo unë pësova një “ftohje” në marrëdhëniet politike. Në vitin 1991-1992 isha deputet i Partisë Demokratike, ndërsa në vitin 1993, për arsye fare të vogla, papritur nuk isha më në punë as unë dhe as gruaja ime. Ditët u bënë për ne shumë të vështira. Na hoqën nga puna që të dy dhe ngelëm në mes të katër rrugëve. Kishim edhe dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë. Pasi ngelëm të papunë nuk na ngeli gjë tjetër veçse të nisnim si gjithë të tjerët, të merreshim me diçka për të ushqyer fëmijët tanë. Na kishin mbetur vetëm 100 dollarë dhe menduam që me to të bënim diçka. Fillimisht blemë në tregun e shumicës kremra dhe i shisnim ato me pakicë kundrejt një çmimi pak më të lartë sesa i blinim. Muajt e parë kanë qenë një tmerr i vërtetë pasi punonim nga mëngjesi deri në mbrëmje për të fituar diçka. Pas disa kohësh gjërat morën rrugë për mirë. Investuam për kombinatin e kozmetikës, që sot ecën mjaft mirë, menduam dhe kthyem kokën edhe nga sektori riciklimit të letrës. Tek industria riciklimit, e cila gjendet në Porto Romano, jemi të punësuar unë, gruaja, djali dhe pjestarë të tjerë të familjes e të afërm të mi së bashku me të punësuar nga zona. Të gjithë marrim paratë me bordero. Të gjithë vimë në orar në punë dhe ikim si të tjetër.
Sa vite keni që keni hapur aktivitetin tuaj?
Aktivitetii riciklimit të letrës në “EDIPACK” ka rreth tre vite që ka marrë jetë, ndërsa si ndërmarrje ka 7 vjet e ngritur dhe në gjendje funksionale. Sigurisht që nisja e këtij biznesi, si çdo biznes tjetër, ka qenë mjaft i vështirë. Në hapat e parë të aktivitetit ishim të detyruar ta mblidhnim letrën kile-kile nga shtresat në nevojë, të cilët merreshin me këtë punë. Për çdo ditë arrinim të mblidhnim rreth 15 ton letër në ditë, shifër kjo e ulët dhe jo premtuese. Ajo që na mbajti në këmbë qe vullneti dhe këmbëngulja për të arrirë deri atje ku mendonim.
Kombinati juaj ka pësuar rritje në investime, në standartizim dhe në kapacitet prodhues. Mund të afroni disa shifra për konkretizim?
Kompania shtrihet në një sipërfaqe prej 20 mijë m2. Nga kjo sipërfaqe është e mbuluar, në kapanone, 10 mijë m2. Teknologjia e përpunimit është italiane. Ne flasim për riciklimin e letrës, por realisht ne riciklojmë edhe ujin që përdorim, pra gjithçka që shikoni sapo hyni në këtë kantier, kombinat apo stabiliment (quajeni si të doni) është ekologjike. Cilindrat e kartonit punojnë në një temperaturë 220 gradë dhe kjo bëhet për të mbytur çdo mikrob. Cilësia e letrës dhe e produktit të dalë kontrollohet në mënyrë kompjuterike dhe monitorohet drejtpërdrejtë nga Italia. Industria jonë e riciklimit ka një kapacitet përpunues prej 70 ton riciklim në ditë. Sot ne realizojmë jo më shumë sesa 20 ton në një ditë dhe kjo jo ngase nuk ka material, por për arsyet që dihen. Riciklimi, përpunimi mbeturinave të riciklueshme janë ende larg standarteve të kërkuara pasi nuk ka një politikë dhe ide serioze, kryesisht nga pushteti lokal. Por më duhet të them se edhe një kontigjent brenda politikë-bërjes janë pak apo aspak të informuar mirë e saktë për këtë lloj industrie.
Ju shpreheni se keni rezerva edhe ndaj politikës. Diçka më konkrete?
Fatkeqësisht kemi shoqëri të politizuar. Ne punojmë mirë se kështu mendojmë t’i shërbejmë asaj politike nga vijmë dhe harrojmë se kemi të tjera detyrime përballë shoqërisë. Në vendin tonë nuk ka asnjë ligj për importet e mbeturinave. Këtë e dinë edhe ata politikanë që bërtasin deri në klithma duke sajuar deklarime sikur në Shqipëri do të importohen mbeturina. Zhurmën e bëjnë qëllimisht për të ndëshkuar palën në qeveri dhe nuk kanë asnjë bazë. Deri më sot ka vetëm një ligj për importin e lëndëve të para, një listë jeshile. Në vitin 2005 qeveria shqiptare e ka ndaluar me ligj importin e mbetjeve për djegie, stokazh apo tjetërsim. Nga ana tjetër, zërave dashakeq u shtohet edhe indiferentizmi i pushtetit lokal. Menaxhimi mbetjeve urbane, dhe jo vetëm urbane, është detyrë e përgjegjësi e pushtetit lokal. Është e paqartë se si pranohet nga bashkia, komunat dhe ndërmarrjet e ndryshme që këto mbetje të digjen në natyrë duke ndotur dhe shtuar rriskun e sëmundjeve të rënda në popullatë. Me një llogari të shkurtër u garantoj se me 2.5 milion euro zgjidhet çështja mbeturinave. Durrësi prodhon mesatarisht 180-250 ton mbeturina në ditë (në verë më shumë, në dimër më pak). 50 % e tyre janë mbeturina inorganike të riciklueshme. Investimin e mësipërm, në 2.5 milion euro bashkia apo njësia vendore e nxjerr për jo më shumë sesa 7 vite. Nëse qeverisja vendore ka vullnet mund ta marrë vet përsipër zgjidhjen, ndryshe ia beson privatit.
Cila është lidhja që keni me "BERZH", si është bashkëpunimi me ta dhe sa e rëndësishëm është ortakëria?
Lidhja jonë me BERZH është disavjeçare dhe e suksesshme në cilësinë e partneritetit. BERZH, në cilësinë e bashkëpunimit, ka 30% të aksioneve. Deri më tani marrëdhëniet me ta kanë qenë e vijojnë të jenë shumë cilësore. Në vendet e tjera të botës, në një biznes mund të jenë mbi 6-7 aksionerë dhe në shumicën e rasteve ka treguar se biznesi ka marrë përmasa gjigande. Kështu që unë mendoj se ortakëria është shumë e mirë, nëse do që biznesi të rritet. Specialistët që kemi në këtë stabiliment të industrisë ricikluese janë të kualifikuar dhe pa asnjë mëdyshje me të njëjtat rezultate si edhe të huajt. Pra jemi të barabartë në të gjitha aspektet.
Pse në Shqipëri nuk ka reklama televizive për avantazhet e letrës kundrejt plastikës?
Nuk e di. Vetëm me anë të medias njerëzit mund të sensibilizohen dhe ndërgjegjësohen. Në vendin tonë ka industri të riciklimit me investim mbi 100 milion euro dhe në këto kombinate gjigande riciklohet metali, metalet me ngjyrë, bateritë, plastika, letra, etj. Vendi ynë humbet në një vit nga mosefektiviteti i kësaj industrie rreth 15 milion euro nga eksporti. Deri para se qeveria shqiptare të miratonte listën jeshile, e përcaktuar si element i domosdoshëm në mbështetje të Konferencës së Bazelit, importonim letrën apo kartonin “kontrabandë”. Pra e riciklonim në vend por e pasqyronim si të virgjër pasi nuk kishim të miratuar listën jeshile. Tani janë bërë hapa para me ndërhyrjet e qeverisë. Media duhet të ndjekë dhe të bëjë publike nisma apo edhe ndërmarrje ligjore të tilla. Nga ana tjetër i duhet mëshuar shumë publicitetit të investimeve serioze.
Nëse duam të thithim investitorë të huaj duhet t’u tregojmë atyre se pas viteve 2000 vendi ynë ka ndryshuar shumë. Rajoni dhe sidomos Ballkani në këto dhjetë vite thuasje nuk ka bërë asgjë, kurse Shqipëria po. Infrastuktura është përmirësuar shumë. Janë bërë investime shumë të mëdha në rrugë dhe kjo duhet të përkthehet si shans për thithjen e investitorëve të huaj. Ne si stabiliment industrial i riciklimit kemi kontratë me rreth 450 ndërmarrje të mëdha e të vogla. Me një infrastukturë rrugore të përmirësuar rendimenti ka ecur me ritmet e duhuara. Nga ana tjetër, përfundimi rrugës Durrës-Kukës-Morin ka zgjeruar tregun tonë në Kosovë. Me kompanitë e ndërmarrjet kosovare kemi nënshkruar kontrata e marrëveshje dhe kjo në sajë të përmirësimit në infrastrukturë. Kështu ndodh e do të ndodhë me kompani të huaja.
Mendoni se duhet orientuar më shumë qytetari në domosdoshmërinë e një klime të pastër, ekologjike?
Sigurisht. Është çështje e ditës, duhet ta bëjnë të gjitha institucionet: shkolla, shoqatat, pushteti lokal, qeveria. Kushdo. Kemi probleme shumë serioze me ekologjinë. Mjedisi ku jetojmë e punojmë ka problem me ndotjen. Flitet gjithandej për vatra të rrezikshme ekologjike. Mos të shkojmë larg. Të vështrojmë përreth. Në rrugë, trotuarë, kanale, vende të ndryshme, lulishte, mjedise pune dhe gjithandej shohim se si janë hedhur pa as më të voglin kujdes mbeturina.
Nuk është fjala për mbeturina ushqimore, ndonëse edhe këto kanë pjesën e tyre në ndotjen mjedisore. Flasim për bateri makinash, filtra, vajra, bombula, plasmasë, etj, të cilat janë shumë të rrezikshme për jetën e shëndetin. Nuk tregojmë as kujdesin më të vogël për të shmangur këtë ndotje. Është bërë pak në drejtim të ndërgjegjësimit të opinionit. Këtu në zyrën time kanë qenë të gjithë ambasadorët e akreditur në Tiranë. Vetëm ministra, deputetë dhe pushtetarë lokal nuk kanë shkelur ende. Kjo nuk ka të bëjë me ndonjë qefmbetje. Dua të them se shoqëria e civilizuar respekton shumë investimet e këtij lloji, ndërsa në vendin tonë gjendemi në fazën fillestare.
Mendoni se Shqipëria mund të jetë konkuruese në të ardhmen në tregun rajonal?
Janë të gjitha mundësitë. Sot investimet në industrinë e riciklimit janë në limite modeste, por jo të papërfillshme. Unë e kam nisur biznesin tim me 100 dollarë në xhep, ndërsa tani investimi ka kapur shifra në disa million euro. Për shkak të natyrës shqiptare, besoj se gjërat duhen parë me besim. Ne nuk rendim pas grumbullimit të parave. Gjithandej shoh se sipërmarrësit e sektorit të industrisë janë të interesuar të investojnë. Kështu rritet kombinati, fabrika, stabilimenti, punishtja. Futet teknologji e kohës dhe konkurente në tregun e sotëm, punësohen krahë e mendje të lira, rritet standarti. Unë jam i prirur të besoj se diçka po ndryshon në të mirë. Më duhet të ripërsëris se në këto 5-6 vitet e fundit qeveria i ka kushtuar vëmendje ideve e projekteve për thithjen e investitorëve të huaj.
Durrësi prodhon mesatarisht 180-250 ton mbeturina në ditë (në verë më shumë, në dimër më pak)
50 % e tyre janë mbeturina inorganike të riciklueshme
Është e paqartë se si pranohet nga bashkia, komunat dhe ndërmarrjet e ndryshme që këto mbetje të digjen në natyrë, duke ndotur dhe shtuar rriskun e sëmundjeve të rënda në popullatë
Me një llogari të shkurtër i'u garantoj se me 2.5 milion euro zgjidhet çështja e mbeturinave
Investimin e mësipërm, në 2.5 milion euro bashkia apo njësia vendore e nxjerr për jo më shumë sesa 7 vite
Nëse qeverisja vendore ka vullnet mund t'a marrë vet përsipër zgjidhjen, ndryshe ia beson privatit