DURRËS, 1 mars 2015 – Gjeneral injorant, jo në çështje ushtarake, por në politologjinë ndërkombëtare, nuk gjen vetëm pranë Presidentit të Republikës së Shqipërisë si këshilltari për mbrojtjen gjeneral brigade Piro Ahmetaj, por edhe në Kazakistanin e largët. Një gjeneralmajor i ish-ushtrisë sovjetike, për 4 vjet e gjysmë ish-zëvendës ministër i Mbrojtjes i Kazakistanit, tani bashkëkryetar i shoqatës së ushtarakëve në rezervë të Azisë, Aitkali Isengulov (në foto), ka botuar para disa ditësh një artikull për çështjen ujgure në Kazakistan.
Nëse gjeneral brigade Ahmetaj i Presidentit të Shqipërisë këpuste “kumbulla” për ushtrinë polake (shih replikën e kolegut Gjergj Thanasi në http://www.gazetadita.al/gjen-pirro-ahmetaj-manifeston-injorance-turperuese-replike/), gjeneralmajori sovjeto-kazakistanas Isengulov këput broçkulla për historinë e Kosovës:
“Nga frika e represioneve masive të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut shumë shqiptarë me prirje demokratike u arratisën në Jugosllavinë socialiste dhe u vendosën në kufirin me Shqipërinë. Pjesa e popullsisë shqiptare në Kosovë u rrit me shpejtësi dhe një ditë të bukur u bë mbizotëruese. Në të njëjtën kohë nga ana e tyre u shpeshtuan rastet e qëndrimit intolerant ndaj serbëve. Këtë kundërshtim e shfrytëzuan SHBA dhe vendet evropiane që u përpoqën të shkatërronin Jugosllavinë. Si rezultat në hartë u shfaq një shtet i ri i pavarur – Kosova” (http://www.centrasia.ru/newsA.php?st=1423822440).
Kuptohet se ish-zëvendësministri i mbrojtjes i Kazakistanit, i dekoruar nga në nëntor 2011 nga ish-presidenti i Rusisë Dmitrii Medvedev, ende i përmbahet linjës së Moskës lidhur me Kosovën. Por të mos njohësh historinë e Kosovës dhe të nxjerrësh konkluzionin se të arratisurit nga Shqipëria rritën popullsinë e Kosovës, është një injorancë absolute. Natyrisht, frika e autoriteteve të Kazakistanit për ndonjë krahinë autonomi ujgure në atë vend, nuk ka i pse çon në marrëzira të tilla, kur bëhet “ekskursion” për argumente në çështjen e Sudeteve, Kosovës, Osetisë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





