29 prill 2014 – Banania antiraciste është një operacion gjigand marketingu?

E përditshmja spanjolle “AS” ngre dyshime mbi fushatën antiraciste të iniciuar nga Neymar në rrjetet sociale, pasi një banane iu hodh në fushë kolegut të tij tek Barcelona, Dani Alves nga një tifoz i Villarealit.

Alves e mori dhe e hëngri bananen e hedhur në fushë duke i dhënë kështu një përgjigje ironike gjestit racist.

Më pas Neymar nisi në rrjetet sociale fushatën “#SomosTodosMacacos” (Jemi të gjithë majmunë).

Gjesti u përkrah dhe shembulli nisi të ndiqej me shpejtësi nga shumë kolegë dhe personalitete të botës së spektaklit.

Por sipas gazetës “AS” gjesti dhe fushata nuk ishin aspak spontanë. Sipas kësaj të përditshmjeje e gjitha ishte përgatitur kohë më parë nga një ekip ekspertësh marketing.

Neymar e kishte përgatitur këtë reagim që nga derbi i fundit me Espanyol, nisur dhe nga reagimi i tifozerisë. Ideja mesa duket ishte që bananen ta hante Neymar, por e hëngri Alves dhe pak a shumë është e njëjta gjë.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/