Pas vjedhjes së shkollës “Bedrie Bebeziqi”, xhamive e myftinisë së qytetit, ngjarje këto që janë pa autorë, mbrëmjen e shkuar është vjedhur dhe dhunuar poliklinika Qendrore e Specialiteteve në Durrës.
Persona ende të paidentifikuar që kanë thyer xhamat e dyert e Poliklinikës së Specialiteteve dhe kanë hyrë deri në katin e dytë, kanë thyer çdo gjë që u ka dalë përpara, njësoj si në shkollën “Bedrie Bebeziqi”. I gjithë stafi i poliklinikës ka mbetur i shokuar, ndërsa dyer e dritare, dhomat e vizitave, bravat e dyerve, ishin në tokë, të shkatërruara nga vandalët. Kjo bëri që sot të ndërpritej plotësisht puna në poliklinikë për qytetarët.
Nga mjekët e kësaj poliklinike, bëhet me dije se dhunimi i ambienteve dhe vjedhja e tyre është bërë gjatë natës së shkuar, ndërsa hajdutët kanë vjedhur disa kompjuterë e laptopë në zyrat e kabineteve, pajisje të ndryshme në laboratorë, por ende nuk bëhet i ditur numri i saktë i tyre.
Autorët kanë hapur me forcë derën kryesore dhe kanë marrë gjithashtu dhe disa aparate matës diabeti, apo edhe pajisje që përdoren nga mjekët.
Ndërkohë, Specialistët për Krimet kanë shkuar e kanë marrë gjurmët e gishtave e po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Kjo situatë ka bërë që të krijohet mjaft konfuzion te dhjetëra pacientë që mbërritën në mëngjes për të marrë shërbimin e nevojshëm te mjekët, për t’u vizituar e për të kryer analizat. Deri sa të rregulloheshin dyert e shkatërruara për pacientët nuk u hap dera, gjë që solli edhe irritimin e tyre.
K.H.





