28 prill 2015 – Plarent Dervishaj, njëri nga njerëzit më të afërt të Lulzim Berishës në bandën e Durrësit, ka arritur të përmbysë dënimin me burg përjetë dhe të pushojë plotësisht akuzat për vrasje të ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Dervishaj është shpallur fajtor dhe dënuar nga dy gjykata me burg përjetë për akuzën e vrasjes në bashkëpunim të shtetasve Marsel Sotiri, Ilir Nelaj, Agim Rexhepi, Dritan Sallaku dhe Dritan Disha në Durrës.
Sipas gazetës “Shqiptarja.com”, ky dënim u kundërshtua në Gjykatën e Lartë nga avokatët mbrojtës, ku pak kohë më parë Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur të kthejë për rigjykim Plarent Dervishajn në Gjykatën e Apelit për Krime, ndërkohë që pjesën tjetër të grupit prej 16 anëtarësh, e dënoi me dhjetëra vite burg dhe një dënim përjetë për Indrit Doklen.
Dervishaj mendohet se momentalisht fshihet në SHBA. Ai është një ndër personat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Ai kërkohet gjithashtu nga Interpoli dhe FBI-ja.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/