Banda frymore e qytetit të Durrësit ka dhënë mbrëmjen e së premtes një koncert për artdashësit para Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”.

Nën dirigjimin e Sajmir Kalajës, banda interpretoi për publikun e mbledhur në sheshin “Liria” pjesë të ndryshme të repertorit të saj. Koncerti u ndoq me mjaft interes nga të pranishmit, që duartrokitën interpretimin profesional të bandës frymore.

Ky koncert pason atë të një nate më parë, kur interpretoi orkestra e harqeve “Aleksandër Moisiu” me dirigjent Petrika Afezollin. Dy koncertet ishin pjesë e kalendarit të pasur artistik, që Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu” ka programuar për t’u mbajtur përgjatë gjithë muajit tetor.

Gjatë këtij muaji, krahas komedisë “Revizori”, në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” u ngjitën një kast aktorësh të njohur, mes të cilëve Yllka Mujo, me tragjedinë “Salome”, ndërkohë që një trupë tjetër e teatrit të Durrësit me regji nga Stefan Çapaliku shfaqi premierën e dramës “Eldorado”. 

(Fotot u mundësuan nga Gëzim Domi)