SKOCI – Gruaja e një shqiptari të dyshuar si trafikant droge në Skoci është vrarë, pasi dyshohej se informonte Policinë në lidhje me veprimtarinë e bashkëshortit të saj dhe anëtarëve të tjerë të rrjetit të narkotrafikut. 

Lynda Spence, 27 vjeçe, konsulente financiare, ishte martuar me shqiptarin Sokol Zefaj, por për shkak të dyshimeve se informonte Policinë, ajo u rrëmbye, u mbajt peng e më pas u masakrua në prill 2011. Rrjeti televiziv britanik, BBC, shkruante dje se policia ka siguruar dëshmi të rëndësishme nga shtetasi David Parker, 37 vjeç. Ai mësohet se ka treguar detaje të krimit duke dëshmuar për Policinë para një gjykatësi në Glasgow. 

Ai ka thënë se teksa ishte rrëmbyer, gruaja e shqiptarit është mbajtur peng në shtëpinë e tij. “Unë e kam ushqyer atë, i kam dhënë çaj dhe duhan, çfarë ka dashur”, ka thënë 37-vjeçari për hetuesit. Ai së bashku me shtetasit Paul Smith, 47 vjeç, Colin Coats, 42 vjeç dhe Philip VVade, 42 vjeç, mohojnë vrasjen, edhe pse Policia i ngarkon ata me kryerjen e krimit. Katër burrat, sipas BBC, janë të akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin e zonjës Spence në apartamentin e z. Parker në Meadowfoot Road, West Kilbride.
 
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mes datave 14 dhe 28 prill 2011. Ndërkohë që viktima e vrasjes po kalonte një martesë me shtetasin shqiptar Sokol Zefaj, anëtarët e rrjetit të trafikut të drogës kishin mësuar se konsulentja financiare ishte rekrutuar nga Policia, e cila ishte duke marrë informacion prej saj në lidhje me bandën. Ky sipas Policisë, ka qenë shkaku i rrëmbimit e më pas vrasjes së gruas së të dyshuarit shqiptar për trafik droge.