Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se bandat në Shqipëri kanë licencë për vrasje nga kryeministri Edi Rama, përderisa sipas tij, ky i fundit deklaron që “grupet kriminale të hanë kokat e njëri-tjetrit”.
Komentet Berisha i bëri gjatë një takimi në Bulqizë ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për këtë bashki, Dëfrim Fikun.
Berisha tha gjithashtu se ish-kryebashkiaku socialist i Bulqizës, i akuzuar për korrupsion nga SPAK, Lefter Alla, në krahasim me Ramën dhe Belinda Ballukun është thjesht një hajdut xhepash, pasi sipas ish-kryeministrit këta të dy vjedhin miliona euro.
“Kandidatët e këtyre zgjedhjeve janë dhëndurë dhe nuse të lirisë. Ata nuk kanë dalë nga zyra e kryetarit dhe kryesisë, por kanë dalë nga vullneti juaj. Kemi shënuar një hap të madh përpara, në hapsirën e lirisë. Kemi vendosur një nga standartet më të përparuara në botë për forcat demokratike. Ky standart do të përsoset gjithmonë e më shumë. Kam kënaqësi që paraqes para jush Dëfrim Fikun, një nga qytetarët më shembullorë të Bulqizës.
Kam bindjen se ai do të bëjë të gjitha përpjekjet që të kthejë në zhvillim taksat tuaja. Do të bëjë gjithçka për të shtuar burimet e të ardhurave. Për të shtuar financimet për Bulqizën. Dëfrim Fiku është kandidati i ndryshimit. Ky ndryshim është i një rëndësie jetike për Shqipërinë. Të mendojmë për një moment pse ne po shkretohemi në këtë mënyrë, pse Shqipëria në 8 vite ka humbur mbi 1 milion qytetarë, më shumë se 1/3 e saj. Kushdo që e njëh historinë, konstaton se kurrë në historinë tonë ne nuk kemi patur një shkretim të tillë. Asnjë luftë nuk na ka pakësuar ne san a kanë pakësuar ne në këto 8 vite. Polonia, vendi më i dëmtuar nga lufta e Dytë Botërore, humbi 20 % të popullatës, kurse ne 35 % të popullatës që nga 2014 e deri më sot.
Ti bëjmë pyetjen vetes a duhet të pranojmë ne këtë shfarosje? Duhen vetëm 16 vite për të humbur pjesën tjetër dhe ky do të ishte akti më i pafalshëm i yni. A mund të dorëzohemi ne në këtë mënyrë? A na falet ne kjo gjë? Kurrën e kurrës. Shqipëria lëngon në të katër anët e saj. Shqipëria ka vetëm një thirrje: Mos më braktisni.
Sot nuk ka komb tjetër në botë që braktis vendin si ne. Këtu ndodhen 25 milion tonë krom, rezervë botërore e kromit. Rezervat janë përrallore. Monizmin e parë e kemi shumë të freskët. U katandisëm në njerëzit e tretë më të varfër të planetit dhe kur dolëm prej tij ishim në kufijtë e ekzistencës. Pas 32 vitesh ne jemi në monizëm. Rama kontrollon sot 10 % më shumë pushtet se Ramiz Alia në 91’. Për shqiptarët nuk ekziston e drejta. Nuk ka gjykata që t’ju garantojnë të drejtat. Urdhëri arbitrar bën ligjin në këtë vend. Pasiguri e plotë për shqiptarët. Çdo ditë vriten njerëz të pafajshëm. Kreu i ekzekutivit deklaron se rendi është më i sigurtë se kurrë. Sot për herë të parë bandat nga Edi Rama kanë licencë vrasjeje. Nëse kryeministri i thotë banditëve “hani kokën e njëri-tjetrit”, atëherë policia nuk ekziston.
Vrasin njëri-tjetrin, vrasin të pafajshmit dhe rendi nuk ekziston. A do të vazhdojmë ne me këtë mungesë totale të të drejtave. Sot vjedhja është bërë universal. Unë pashë një fotografi ku ish kryebashkiaku Lefter Alla kishte shtruar një rrugë në mënyrë origjinale që nuk e kisha parë kurrë. Sigurisht që ajo ishte një çudi. Lefteri në krahasim me Ramën dhe Ballukun është thjesht një hajdut xhepi. Sepse ata vjedhin me dhjetëra dhe qindra milionë. Ky monizëm po i përzë shqiptarët nga Shqipëria, sepse në çdo votër po troket varfëria dhe skamja. Në 2013 ne arritëm në një arritje historike, që të kishim pagat më të larta në rajon. Ne jemi vendi më i pasur në rajon. Nuk ka një vend të dytë në Europë me pasuritë e Shqipërisë. Sot kemi rrogat më të ulëta në rajon. Paguhemi 30-40 % më pak se në Kosovë. Buxheti i Kosovës është dyfish më i ulët”, u shpreh Berisha.