*Dokumentohen me prova ligjore një sërë vjedhjesh të banesave

Operacioni “Banesa” i zhvilluar nga blutë e Durrësit, ka vënë në pranga dy të rinj nga fshati Sukth i Ri, të cilët kryenin vjedhje të banesave, kryesisht të emigrantëve.

Dy të rinjtë e arrestuar janë Vullnet Kolaveri, 21 vjeç dhe Ervin Rizani, 20 vjeç. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin si dhe me persona të tjerë, kanë kryer disa vjedhje në territorin që mbulon njësia administrative Sukth, për të cilat është bërë dokumentimi ligjor.

Vjedhjet e dokumentuara:

-Në datën 08.06.2016, është vjedhur banesa në pronësi të shtetasit R.E. banues në Sukth i Ri, emigrant në Greqi, ku është vjedhur një televizor.

Nisur nga veprimet hetimore të kryera, është arritur të bëhet dokumentimi ligjor i veprës penale, ku është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një televizor i markës LG, 52 polsh, i llojit plazma,  i vjedhur në këtë banesë.

-Në datën 22.05.2016, në fshatin Perlat, rrethi Durrës, është konstatuar vjedhja e banesës (të pabanuar) në pronësi të shtetasit A.M., banues në fshatin Perlat, emigrant në Greqi, ku kanë vjedhur nënprodukte rrushi, verë e raki.

-Në datën 11.05.2016, në Sukth i Ri, është konstatuar vjedhja e banesës në pronësi të shtetasit L.D., banues në Sukth i Ri, emigrant në Itali, ku janë vjedhur dy varëse floriri.

Mësohet se të arrestuarit janë persona me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër pronës.

Policia thotë se po vazhdon puna për dokumentimin ligjor dhe të disa ngjarjeve të tjera të kryer nga këta shtetas në bashkëpunim me persona të tjerë.