Tërmeti i 21 shtatorit ka bërë që banesa e familjes Keçi në Shijak të dalë jashtë përdorimit. Por, 7 anëtarët e saj jetojnë ende në këtë shtëpi, mes rrezikut dhe shpresës se e keqja do t’i kursejë.

E zonja e shtëpisë, Besnikja  kërkon ndihmë, ndërsa tregon vështirësitë për të mbijetuar në këto kushte. Shtëpia e familjes Keçi është një ndër 62 banesat, që u bënë të pabanueshme në Bashkinë e Shijakut si pasojë e tërmetit, por në pritje të procedurave, pasi dosja e saj është miratuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Deri atëherë, kjo familje kalon netët në rrezik.

Blerimi është i vetmi nga 7 anëtarët e famijes Keci, që ka siguruar punë për të mbajtur familjen, ku përveç varfërisë, problemeve shëndetësore të 3 prej tyre, u shtohet tashmë dhe dëmtimi i banesës të tyre.

Ai tregon se Bashkia i ka ofruar që të strehohet në një nga qendrat e vëna në dispozicion, por e ka të pamundur për shkak të problemeeve shëndetësore të babait, nënës dhe vëllait të tij. 

Burime pranë Bashkisë së Shijakut bëjnë me dije se është bërë i mundur evidentimi i të gjithë rasteve të dëmtimeve të pjesshme apo totale, ndërsa pritet vendimi i qeverisë për lëvrimin e fondeve dhe më pas dëmshpërblimi për përfituesit.