29 korrik 2015 – Restaurimi i banesës së vitit 1884 pranë bulevardit ‘Epidamn’ po i drejtohet fundit. Bashkë me tri fasadat që na rikthejnë një nga godinat më përfaqësuese të Durrësit në fundin e shekullit të 19-të, rindërtimi i saj nga një firmë private që po respekton kontratën fillestare me Institutin e Monumenteve të Kulturës është një shprehje pozitive e partneritetit me biznesin.
Vetëm 100 metra larg Torrës veneciane dhe godinave të Portit detar, kjo ndërtesë do të shtojë kërshërinë e vizitorëve për qendrën historike të Durrësit 3000-vjeçar, aty ku lashtësia, mesjeta dhe qyteti i ri qëndrojnë shumë pranë njeri-tjetrit.
Pronë e familjes së Zisi Margaritit, çka dukej qartë së bashku me vitin e ndërtimit në ballinën e njërës prej hyrjeve me arkadë, banesa është shfrytëzuar për disa kohë si seli e konsullatës austro-hungareze, një nga më të rëndësishmet e kohës, që ishte instaluar në qytetin tonë në kapërcellin mes dy shekujve.
Mbi dy katet e ndërtesës kuadratike, e cila i ka shpëtuar bombardimeve mbi qytet në vitin 1918, restauruesit kanë risjellë të plotë edhe mansardën me katër dritare, të orientuara në të gjitha anët e horizontit.
E ndërtuar më shumë se 130 vjet më parë, godina ishte ndërtesa më e madhe në atë zonë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





