Sulmuesi i Teutës, Bangal, ka besim se skuadra e tij mund ta përmbysë Vllazninë dhe të sigurojë kualifikimin për në gjysmë- finalen e Kupës së Shqipërisë. Lojtari nga Mozambiku, Bangalshprehet se skuadra e Teutës është e motivuar për të marrë një fitore, që do të thotë dhe kualifikim në gjysmëfinalet e Kupës.Lojtari shton se kjo është Teuta me e bukur dhe më e fortë që kur ai është bashkuar me durrsakët dhe merita për këtë pa dyshim është e trajnerit Magani, si dhe drejtuesve që e forcuan ekipin me afrimet e bëra.

“Ndeshja e Kupës, e cila do të luhet nesër, është një finale për ne. Nëse kalojmë Vllazninë, atëherë kemi mundësi që të shkojmë dhe më tej. Kam besim të plotë që kjo skuadër do t’ia dalë. Ekipi është i motivuar, por dhe jemi të përgatitur mirë. Në ndeshjen e parë kemi humbur padrejtësisht, por këtu në Durrës do të tregohemi më cinikë dhe do të jemi më të qartë para portës.Mendoj se ky është defekti ynë, nuk jemi konkret para portës, nuk shënojmë. Për kaq kohë sa kam unë këtu, kjo është Teuta më e fortë dhe më e bukur. Trajneri Magani dhe stafi i tij kanë bërë një punë të shkëlqyer me ekipin, duke i dhënë një imazh tjetër. Po të shikojmë javët e fundit dhe pse kemi humbur kemi prodhuar futboll, pa frikë e them që jemi ekipi që bëjmë lojën më të bukur dhe kjo falë punës së trajnerit dhe drejtuesve, që me afrimet e bëra e kanë forcuar akoma më shumë ekipin tonë”, tha Bangal.

Ai bëri edhe një skaner të ecurisë së Teutës.

“Kemi humbur ndaj Kukësit, Vllaznisë apo dhe në barazimin me Partizanin kemi treguar se luajmë futboll të hapur dhe të bukur për t’u ndjekur. Në ndeshjen që kemi, do të luajmë po aq bukur, por do të jemi më të saktë para portës duke kaluar për më tej në Kupë. Kjo vlen dhe për ndeshjet e kampionatit, por dua t’i marrim një e nga një, në kampionat kemi ndeshje përpara dhe do të përpiqemi që të marrim sa më shumë pikë nga ndeshjet e mbetura duke mos rrezikuar rënien”, ka përfunduar sulmuesi i Teutës.