Donald Trump ka përmbysur një tjetër ligj të paraardhësit të tij Obama. Shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë ka vendosur të shfuqizojë masat e administratës demokrate që lejonin përdorimin e tualeteve të shkollave publike në bazë të orientimit të tyre të lirë seksual dhe jo atij biologjik.

Administrata e SHBA-së e kryesuar nga Presidenti Donald Trump, ka tërhequr udhëzimin kundër diskriminimit të nisur nga Barak Obama, sipas të cilit studentët transeksualë, mund të përdornin banjat dhe dollapët me dryna të shkollave publike në bazë të identitetit të tyre gjinor, dhe jo në bazë të seksualitetit të përcaktuar në lindje.

Kjo është goditja e parë e vërtetë për trashëgiminë e Obamës në fushën e të drejtave civile, dhe frika është se ky mund të jetë vetëm fillimi i një ofensive të madhe në këtë drejtim.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i ashpër i komunitetit LGBT dhe shoqatave për mbrojtjen e të drejtave civile, të cilët akuzojnë Presidentin Trump se ka tradhtuar premtimin e bërë gjatë fushatës zgjedhore për të mos ndërhyrë në këtë fushë.