Huaja e IBRD-së (International Bank for Reconstruction and Development – Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, pjesë e Grupit të Bankës Botërore) synon përmirësimin e rrjetit ekzistues të qytetit të dytë më të madh të vendit dhe njëri prej destinacioneve kryesore turistike të vendit, si dhe porti kryesor i Shqipërisë
DURRËS, 21 dhjetor 2013 – Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Grupit të Bankës Botërore miratoi më 20 dhjetor 2013 një hua të re për të ndihmuar Shqipërinë që të përmirësojë cilësinë e shërbimeve të ujësjellës-kanalizimeve në qytetin bregdetar të Durrësit si dhe performancën financiare të ndërmarrjes së ujësjellësit të këtij qyteti. Huaja e IBRD-së (International Bank for Reconstruction and Development – Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, pjesë e Grupit të Bankës Botërore) prej 85.3 milionë dollarësh amerikanë për Projektin e Investimeve për Sektorin e Ujit në Shqipëri ka për qëllim të përmirësojë rrjetin ekzistues të ujësjellës-kanalizimeve në rajonin e Durrësit, qyteti i dytë më të madh i vendit dhe njëri prej destinacioneve kryesore turistike të vendit, si dhe porti kryesor i Shqipërisë, njoftoi nga Uashingtoni Banka Botërore.
Objektivat e projektit do të arrihen nëpërmjet
(i) investimeve parësore në rrjetin e ujësjellësit dhe ndërtimit të tubacioneve për transportin e ujit për të përballuar pamjaftueshmërinë e tij gjatë pikut të sezonit turistik; investimeve dytësore që i lidhin fshatrat me sistemin e ujësjellësit të qytetit; dhe investimeve parësore për të ulur humbjet në rrjetin e shpërndarjes së ujit;
(ii) investimeve parësore në rrjetin e kanalizimeve dhe rritjes së kapacitetit të transferimit nga zona bregdetare turistike në impiantin ndërtuar rishtazi të trajtimit të ujërave të zeza në Durrës, dhe
(iii) mbështetjes së mëtejshme për ndërmarrjen e ujësjellësit për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve të ofruara prej saj dhe situatën e saj financiare.
Qeveria i ka kushtuar përparësi sektorit të ujit dhe e ka përcaktuar zonën e Durrësit si përparësi në programin e saj, thotë Banka Botërore. “Për rrjedhojë, projekti ofron mundësi ideale për të çuar përpara agjendën e reformave të politikave dhe atyre institucionale, të shprehur edhe në programin e qeverisë dhe strategjinë sektoriale, të shoqëruara këto me financimin e investimeve parësore,” tha Tahseen Sayed, menaxherja e zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.
Projekti do të bazohet në punën e bërë nga programet e mëparshme të investimeve në sektorin e ujit në qarkun e Durrësit dhe do të rrisë nivelin e përfshirjes së Bankës. “Përfituesit kryesorë të projektit do të jenë rreth 400,000 qytetarë në sezonin e pikut (330,000 në pjesën tjetër të vitit), të cilët do të përfitojnë nga përmirësimet e shërbimeve në rajonin e Durrësit. Kjo përbën një përmirësim rrënjësor për sa i përket furnizimit me ujë dhe trajtimit të ujërave të zeza, mbulim më të gjerë të zonave urbane dhe rurale, si dhe mbrojtje më të mirë mjedisore të burimeve ujore në bregdet”, tha David Michaud, Specialist i Lartë i Bankës Botërore për Sektorin e Ujit dhe Drejtues i Ekipit të Projektit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





