Për shkak të rrezikut nga fenomene ekstreme që vijnë nga ndryshimet klimatike, Shqipëria duhet të investojë 6 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme për të mbrojtur në mënyrë sa më efektive qytetarët dhe pronat.

Kjo bëhet e ditur në raportin më të fundit të Bankës Botërore për Klimën dhe Zhvillimin për Shqipërinë, ku nënvizon se ne jemi një nga vendet më të rrezikuara nga katastrofat natyrore në Evropë, sidomos nga përmbytjet, zjarret në pyje dhe erozioni.

Sipas Bankës Botërore nëse nuk ndërmerren veprime, dëmet e lidhura me klimën mund t’i kushtojnë vendit tonë rreth 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Me reformat e duhura si dhe angazhimin e sektorit privat, Shqipëria mund të kalojë drejt burimeve të rinovueshme, të ulë emetimet dhe të krijojë mundësi të reja ekonomike.

Gjithashtu, raporti thekson se investimet për përshtatjen klimatike nuk janë vetëm të domosdoshme, por mund të kontribuojnë edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

Raporti i Bankës Botërore përshkruan edhe një udhërrëfyes të masave të nevojshme për kalimin e Shqipërisë drejt një modeli rritjeje të qëndrueshme dhe rezistente ndaj klimës.

Kjo përfshin nevojën për investime të menjëhershme për zbutjen e ndikimit të katastrofave, zhvendosjen drejt energjisë së rinovueshme për dekarbonizimin afatgjatë, reformat në financat publike për të mbështetur nismat për klimën dhe nxitur investimet private.