Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zhvilloi të mërkurën mbledhjen e parë për vitin 2024.
Këshilli Mbikëqyrës analizoi veprimtarinë e tij për vitin 2023 dhe miratoi programin e punës për vitin 2024, së bashku me kalendarin e mbledhjeve që do të zhvillojë gjatë këtij viti.
Këshilli Mbikëqyrës gjithashtu vendosi miratimin e “Strategjisë së Bankës së Shqipërisë për edukimin dhe përfshirjen financiare, 2024-2026”.
Sipas njoftimit të Bankës Qendrore, kjo strategji synon të sigurojë që individët në Shqipëri të fitojnë njohuritë, të zotërojnë aftësitë, të mbajnë qëndrimet dhe të zhvillojnë sjelljet e duhura, të sakta dhe të zbatueshme që u mundësojnë atyre të marrin vendime financiare të mirinformuara, me synim final përmirësimin e mirëqenies dhe qëndrueshmërisë së tyre financiare.
Dokumenti prezanton objektivat kryesorë dhe ata strategjikë ku do të fokusohet veprimtaria, ofron një panoramë të kuadrit për veprim, si dhe paraqet planin e veprimit 2024-2026, për zbatimin e kësaj strategjie.
Vendime të tjera ishin ai për miratimin e “Strategjisë së Bankës së Shqipërisë për krijimin e monedhave pa kurs ligjor, përkujtimore dhe për qëllime numizmatike për 2024-2029” që përcakton misionin, vizionin, qëllimet dhe udhëzimet për zbatimin e tyre për krijimin e monedhave pa kurs ligjor, përkujtimore për qëllime numizmatike në Bankën e Shqipërisë për vitet 2024-2029; miratimin e rishtypjes së monedhave metalike shqiptare me kurs ligjor me prerje 50 dhe 20 Lekë, me qëllim plotësimin e kërkesave të ekonomisë për para, në vlerë dhe strukturë, si dhe sigurimin e një furnizimi të rregullt me to, për një periudhë disavjeçare; miratimin e rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Komitetit për Sistemet e Pagesave”, që synon të përcaktojë qëllimin e ngritjes së Komitetit për Sistemet e Pagesave brenda Bankës së Shqipërisë, mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të tij. Propozimi për ngritjen e një Komiteti të tillë pasqyron momentin në të cilin ndodhet institucioni në prizmin e zhvillimeve në fushën e pagesave.
Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë iniciativash për të reformuar sistemet dhe shërbimet e pagesave si në aspektin rregullator, ashtu edhe në aspektin infrastrukturor. Prej disa vitesh, ajo ka fokusuar vëmendjen jo vetëm rritjen e sigurisë dhe efikasitetin e shërbimeve të pagesave, por dhe mbështetjen e zhvillimeve infrastrukturore e rregullative të cilat do të mbështesin këto zhvillime. Komiteti, i cili ka natyrë këshillimore, do të synojë të mbështesë vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë në kuadër të këtyre zhvillimeve me qëllim përmbushjen me efikasitet të këtyre prioriteteve të Bankës së Shqipërisë.
Këshilli Mbikëqyrës miratoi gjithashtu disa ndryshimeve në kontratën tip për riblerjen e titujve.
Ndryshimet e propozuara në kontratën TIP që Banka e Shqipërisë ka me bankat tregtare, synojnë të rregullojnë çështje që lidhen me trajtimin e titujve të përdorura si kolateral, në raste të paaftësisë paguese, pas afatit të përcaktuar tashmë në kontratë, dhe në përputhje me ligjin 9974/2008 “Për kontratën e riblerjes së titujve”./ Revista “Monitor”