Banka e Shqipërisë ka prezantuar monedhën më të re përkujtimore në kuadër të 100-vjetorit të saj.
Me vlerë 100 lekë, monedha nuk do të ketë kurs ligjor dhe është krijuar posaçërisht për këtë përvjetor historik.
Në faqen e përparme të monedhës është vendosur logoja e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë, së bashku me datat që përshkojnë historinë e bankingut qendror shqiptar.
Në anën e pasme të monedhës janë paraqitur dy figura simbolike: një djalë me veshje popullore të Shqipërisë së Mesme, e përdorur në kartëmonedhën e parë të vitit 1926, dhe poeti e atdhetari Asdreni, figura e të cilit gjendet edhe në kartëmonedhën moderne 10,000 lekë.
Gjatë konferencës për 100-vjetorin, Guvernatori Gent Sejko theksoi se kjo monedhë pa kurs ligjor nderon kujtesën institucionale të bankës dhe frymëzon besim për të ardhmen.
Kjo nuk është hera e parë që Banka e Shqipërisë sjell një vepër të tillë. Që nga viti 1926, banka ka emetuar monedha përkujtimore për ngjarje dhe personalitete që kanë shënuar historinë e vendit.





