Tiranë, 26 shkurt 2014– Banka e Shqipërisë vendos të ulë sërish normën bazë të interesit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani u shpreh se norma bazë e interest ulet me 0.25 përqind duke arritur shifrën prej 2.75 përqind.

“Në gjykimin e Këshillit Mbikqyrës rritja e stimulit monetar krijon kushtet e përshtashme për përmbushjen e objektivit të inflacionit afatmesëm nëpërmjet nxitjes së kërkesës agregate dhe ankorimit të pritjeve inflacioniste” tha Fullani.

Sipas Guvernatorit të BSH-së zhvillimet makroekonomike të 2013 u karakterizuan nga një rritje e dobët ekonomike dhe nga presione inflacioniste në rënie. BSH pret një përmirësim gradual të aktivitetit ekonomik gjatë 2014, por ekonomia shqiptare do vazhdojë të mbetet nën potencial dhe inflacioni pritet të qëndrojë në nivele të ulëta përgjatë këtij viti.

“Në veçanti rritja e akcizave do kete një efekt më të ulët se vlerësimet tona fillestare në inflacionin e vitit 2014. Në këto rrethana lehtësimi i kusheteve monetare synon të krijojë stimujt e duhur monetarë për rikthimin e inflacionit në objektiv brenda një afati kohor afatmesëm” tha më tej Fullani.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/