Kontrolli i Lartë i Shtetit është përplasur me Bankën e Shqipërisë duke i kërkuar asaj të anulojë vendimin që ia ngarkon koston e vjedhjes së 713 milionë lekëve qytetarëve shqiptarë.

Pas vjedhjes, Banka e Shqipërisë e ka kontabilizuar të gjithë shumën si humbje në bilancin e këtij viti. Ky veprim e hedh automatikisht koston e vjedhjes tek qytetarët duke ulur me 713 milionë lekë fitimin që Banka derdh në buxhetin e shtetit. Por në raportin e fundit të auditimit, KLSH thotë se kjo është e parregullt dhe përbën një shkelje të pastër të displinës financiare. 

Sipas KLSH, përmes klasifikimit si humbje në bilanc, Banka e Shqipërisë praktikisht i ka vënë kapak çështjes së vjedhjes duke mbyllur ligjërisht edhe çdo përpjekje për rikuperimin e shumës së plotë apo të pjesshme të parave që u vodhën. 

KLSH thotë se zhdëmtimi i vjedhjes duhet ti ngarkohet personave të dënuar dhe Banka e Shqipërisë ka detyrimin të ndërmarrë të gjitha masat ligjore për rikuperimin e këtij dëmi. Sipas KLSH vetëm pasi të jenë ndërmarrë të gjitha këto hapa, humbja mund të klasifikohet si vjedhje. Por edhe për këtë duhet të ketë më parë një vendim gjykate. 

Top Channel ka mësuar se mes dy institucioneve ka patur një debat të ndezur institucional. Banka e Shqipërisë pretendon se klasifikimi i shumës së vjedhur si humbje është sygjeruar nga fondi monetar ndërkombëtar. Por KLSH ka kërkuar dokumentat zyrtare mbi sygjerimet e fondit, të cilat Banka nuk ka mundur t'i vërë në dispozcion. 

Kontabilizimi si humbje e shumës së vjedhur në Bankën e Shqipërisë e hedh koston e kësaj vjedhje drejtpërdrejtë tek qytetarët përmes fitimit të munguar në buxhet, në një kohë që për këtë çështje ka ende procese të hapura gjyqësore. 

Vjedhja, e cila përbën një nga skandalet më të mëdha financiare në historinë e vendit, u zbulua në korrik të vitit të kaluar dhe çoi në arrestimin e dhjetëra punonjësve në bankën qëndrore, përfshirë dhe ish guvernatorit Ardian Fullani.