*Individët po tërheqin depozitat prej mungesës së të ardhurave
Kreditimi i ekonomisë u shfaq i plogësht edhe gjatë muajit shkurt. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i kredisë arriti vlerën e 544.4 miliardë lekësh, duke shënuar një ulje me 14.5 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat e muajit të tretë tregojnë se kreditimi ka ardhur në rënie në krahasim me muajt pararendës. Sipas Bankës, në nivel vjetor kreditimi vazhdon të qëndrojë i ulët në shifrën 2.2% dhe se masat shtrënguese janë marrë për shkak të nivelit të lartë të kredive me probleme. Gjithashtu, në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë theksohet edhe rënia e theksuar e depozitave të individëve. Kjo lidhet me dy faktorë, së pari me uljen drastike të normës së interesit për depozitat, dhe së dyti rënia e të ardhurave të individëve. Sa i përket kreditimit, Banka thekson se dobësimi vërehet qartë, sidomos në sektorin e biznesit, ku totali i kredisë paraqitet në rënie vjetore me 3.9%.
Shumë prej sektorëve dhe korporatave që udhëhoqën rritjen e kredisë janë goditur rëndë nga kriza, ndërkohë që bankat tashmë janë më të kujdesshme në huadhënie. Kujdesi i shtuar vlen veçanërisht për bizneset, që përbëjnë edhe boshtin kryesor të kreditimit të ekonomisë dhe, rrjedhimisht, kanë gjeneruar edhe sasinë më të madhe të kredive me probleme gjatë viteve të fundit. Edhe kredia për individë është pranë stanjacionit, me një rritje modeste vjetore me 0.7%. Ky është një segment ku bankat po përpiqen të rrisin më shumë kreditimin, duke ofruar madje edhe interesa mjaft tërheqëse gjatë muajve të fundit. Segmenti i individëve mundëson më shumë diversifikim të portofolit, por ka një impakt më të ngadaltë në rritjen e kreditimit, për shkak se vlerat mesatare të kredive janë më të ulëta. Bankat tregtare do të lejohen të mbajnë në balanc deri në shtatë vjet pronat e marra për kreditë e pakthyera. Banka e Shqipërisë është detyruar ta zgjasë afatin njëvjeçar, të lejuar nga rregullorja e mëparshme, për shkak të rritjes së numrit të pasurive të paluajtshme që bankat nuk arrijnë t’i shesin.
Individët tërheqin depozitat
Kursimtarët kanë filluar të tërheqin depozitat e tyre në banka. Norma e interesit, më e ulët se inflacioni, po e bën të paleverdisshme kursimin e parasë në banka. Sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë, depozitat zbriten në fund të shkurtit në 982 miliardë lekë, ose gati 4 miliardë lekë më pak se në janar. Një ulje e theksuar e depozitave u vu re edhe në qershor të vitit të kaluar, por atëherë paratë u tërhoqën nga pasiguritë e krizës së borxhit grek. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë, tregojnë se paratë janë tërhequr nga individët. Konkretisht, depozitat me afat të individëve ranë 4.5 miliardë lekë për një muaj. Shifrat tregojnë se ata po kursejnë gjithnjë e më pak vitet e fundit. Normat e ulëta të interesit janë arsyeja kryesore, kur në shkurt norma mesatare e interesit për depozitat një vjeçare ishte 1.15%. Por, vrojtimet tregojnë se ka edhe një tjetër faktor pse po shpenzohen kursimet. Disa familje raportojnë në vrojtimet e INSTAT, se u kanë rënë të ardhurat dhe po shpenzojnë nga kursimet thjeshtë për të ruajtur të njëjtin nivel konsumi që kanë pasur më parë. Ulja e depozitave bankare është objektiv i Bankës së Shqipërisë, por ndryshe nga objektivi i saj për të rritur konsumin, paratë e kursyera duket se po shkojnë më së shumti për të ruajtur atë nivel konsumi që familjet janë mësuar të kenë deri tani.
Gazeta "SOT"