Bankat kanë vijuar të kryejnë ristrukturime të kredive, duke lehtësuar huamarrësit që kanë vështirësi për të paguar këstet.
Banka e Shqipërisë, bën të ditur se kredia e ristrukturuar gjatë 6-mujorit të dytë 2023, ishte rreth tre miliardë lekë, ose 8% e stokut të kredive me probleme.
“Portofolet e prekura nga ristrukturimi i kredisë lidhen me kreditë në lekë dhe valutë për sektorin e biznesit. Forma kryesore e ristrukturimit e kërkuar nga klientët dhe e miratuar nga bankat ishte zgjatja e afatit të maturimit. Fluksi vjetor i kredisë së ristrukturuar është zvogëluar gjatë dy viteve të fundit.
Kështu, vlera e kredisë së ristrukturuar gjatë vitit 2023 është sa 43% e vlerës së kredisë së ristrukturuar në vitin 2021”, njofton BSH-ja.
Sipas rregullores, duhet që në vazhdim kredia e ristrukturuar duhet të mbajë statusin e kredisë me probleme për të paktën gjashtë muaj, kohë gjatë të cilës duhet provuar se huamarrësi ka qenë në gjendje të shlyejë rregullisht pagesat pas ristrukturimit.
Gjithashtu bankat kanë vijuar edhe me procesin e fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave.
Vlera e kredive të humbura të fshira nga bilancet ishte rreth 1 miliardë lekë.
Gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit janë fshirë rreth 2 miliardë lekë kredi të humbura dhe më shumë se gjysma e këtij vëllimi lidhet me kredi të marra nga individët.