Depozitimet e parave nëpërmjet bankomateve u rritën përsëri në tremujorin e tretë 2024. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, përdoruesit e sektorit bankar kryen rreth 264 mijë depozitime automatike në ATM, në rritje me 33% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023-t.

Për të gjithë 9-mujorin 2024 numri total i depozitimeve ka arritur në 742 mijë. Shifrat e 9-mujorit tregojnë rritje me përmasa edhe më të larta, me pothuajse 34% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e transaksioneve është në nivele të ngjashme edhe në vlerë. Në fund të 9-mujorit, depozitimet cash në ATM kishin vlerën e 36.5 miliardë lekëve, 33% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Numri dhe vlera e transaksioneve të depozitimit në terminalet ATM është në rritje për të shtatin vit radhazi. Rritja po mbështetet edhe nga zgjerimi i vazhdueshëm i infrastrukturës së pajisjeve që mundësojnë këtë lloj shërbimi.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri i pajisjeve ATM që mundësonin depozitimin e parasë cash në fund të 9-mujorit 2024 arriti në 379, në rritje me 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Afërsisht 37% e numrit të përgjithshëm të ATM-ve në vend ofrojnë shërbimin e depozitimit të parasë cash.

Shqipëria është ende një ekonomi me përdorim të lartë të parasë cash në shitjen e mallrave dhe shërbimeve. Përdorimi i lartë i parasë fizike krijon si rrjedhojë edhe nevojën e depozitimeve periodike të parasë në llogaritë bankare.

Automatizimi i këtij shërbimi nëpërmjet ATM-ve ndikon në pakësimin e fluksit të klientëve për të marrë shërbim nga personeli i bankës dhe përdorimin e degëve të bankave vetëm për ato raste ku ofrimi i shërbimit nga stafi është i domosdoshëm.

Në fund të muajit shtator 2024, sektori bankar shqiptar ofronte shërbim nëpërmjet 1028 ATM-ve aktive, në rritje me 22% krahasuar me një vit më parë.

Numri i ATM-ve pati rënë vazhdimisht në periudhën 2015-2019, sidomos për shkak të uljes së numrit të degëve, por edhe për shkak të pakësimit të numrit të përgjithshëm të bankave tregtare. Megjithatë, pas vitit 2020, edhe nën shtysën e pandemisë, bankat shtuan numrin e ATM-ve (kryesisht të vendosura në mjedise jashtë degëve), me qëllim lehtësimin e flukseve të operacioneve në sportele.

Një faktor tjetër që po nxit shtimin e numrit të ATM-ve në dy vitet e fundit është edhe turizmi. Shtimi i fluksit të turistëve dhe depërtimi ende i pamjaftueshëm i instrumenteve të pagesave automatike me kartë (POS) ka bërë të nevojshme shtimin e ATM-ve ku turistët e huaj të kenë mundësi për të tërhequr para cash. Në këto kushte, instalimi i më shumë ATM-ve është bërë më i leverdishëm për bankat vendase, duke qenë se tërheqjet e parasë cash nga klientët e bankave të huaja kanë komisione të konsiderueshme. /Monitor.al