Konflikti mes banorëve të Kalasë së Durrësit dhe institucioneve shtetërore për projektin “TID Durrës” hyri të martën në një fazë të re gjyqësore.
Katërmbëdhjetë familje dorëzuan padinë e parë kolektive kundër shpronësimeve, lejeve të zhvillimit dhe mënyrës se si është hartuar dhe po zbatohet projekti.
Në një deklaratë për shtyp, ata e konsideruan procesin “të paligjshëm, pa konsultim publik dhe me pasoja të rënda për të drejtat e pronësisë”.
Arkitektja Entela Spahivogli kërkoi pezullimin e vendimit të qeverisë që lidhet me shpronësimin e banesave duke u nisur nga hetimi që po i bëhet zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK).
Ajo theksoi se VKM-ja në fjalë mban firmën e Ballukut dhe se pezullimi i këtij akti deri në shqyrtimin ligjor nga gjykata mund të shmangë çdo pasojë të paparashikueshme te pronat e qytetarëve.
Në fazën e parë të projektit preken 74 familje, ndërsa mbi 100 të tjera rrezikojnë të preken në vijim.
“TID Durrës” është pjesë e planit 2021-2028 të prezantuar gjatë periudhës së rindërtimit pas tërmetit. Ai është hartuar në bashkëpunim mes Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë Durrës.
Megjithëse projekti është paraqitur si ndërhyrje për rigjallërim kulturor dhe urban, procesi i shpronësimeve është zvarritur, ndërsa banorët thonë se dokumentet vendimtare i janë dorëzuar me vonesë dhe pa sqarime.
Në seancën përgatitore të 2 dhjetorit, në Gjykatën Administrative të Tiranës, banorët paraqitën katër kërkesa kryesore:
- Pezullimin e VKM-së Nr. 477, dt. 31.07.2025, që miraton shpronësimet.
- Pezullimi i Vendimit Nr. 07, dt. 02.04.2024 të KKTU, që jep lejen e zhvillimit për projektin TID.
- Marrja e masës së sigurimit të provës, për një ekspertizë të pavarur inxhinierike, arkitektonike dhe arkeologjike.
- Detyrimi i institucioneve publike të dorëzojnë për gjykatën të gjitha aktet administrative, procesverbalet, dosjet teknike dhe “pasaportat e objekteve”.
Banorët thonë se leja e zhvillimit është dhënë pa konsultim publik dhe në kundërshtim me detyrimet procedurale.
Ata kërkojnë që gjykata ta shqyrtojë ligjshmërinë e saj dhe paralelisht të kërkojë verifikim të gjendjes reale të objekteve, arsyeve të prishjes së tyre, vlerave konstruktive dhe përputhshmërisë së projektit me interesin publik.
Sipas tyre në këtë çështje janë bërë një sërë shkeljesh ligjore duke përfshirë:
- Ligjin për shpronësimet (8561/1999)
- VKM nr. 169/2020 për konsultimin publik të pasurive kulturore
- Ligjin 107/2014 për planifikimin e territorit
- Rregulloren e Planifikimit të Territorit (VKM 686/2017)
- Ligjin 10440/2011 për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis
- VKM 247/2014 për informimin dhe përfshirjen e publikut
Sipas banorëve, asnjëri nga këto detyrime ligjore nuk është respektuar.
Ata theksojnë se procesi i shpronësimit është kryer me vlerësime që mbështeten në VKM-të e viteve 2000 dhe 2015, të cilat nuk përkojnë me çmimet e tregut në zonën historike të Kalasë. Kjo ka ulur ndjeshëm dëmshpërblimin e propozuar.
Në raportime të mëparshme, Citizens.al ka sjellë rastet e disa banorëve, shtëpitë e të cilëve nga autoritetet publike vlerësoheshin 60-100 mijë euro ndërkohë që nga vlerësues privatë të pasurive vlera e tyre në treg ishte së paku dy herë më e lartë.
Kjo qasje, e kombinuar me mungesën e konsultimit, i jep projektit karakter të një procesi të mbyllur, të ndërtuar për të justifikuar vendime të marra më herët.
Në një koment për Citizens.al AADF ka shpjeguar se kontributi i saj për projektin “përfaqëson një dhurim për qytetin dhe komunitetin lokal”, si pjesë e angazhimit për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
“AADF nuk ka asnjë rol apo përgjegjësi në lidhje me procedurat e shpronësimeve, përcaktimin e vlerës së kompensimit për pronat, apo çdo proces tjetër që lidhet me çështjen e pronave në zonën e projektit” ka theksuar ajo në një përgjigje të mëparshme për Citizens.al.
Por, banorët theksojnë se nuk janë kundër zhvillimit, por kundër “prishjeve me vendime të marra pa transparencë” të cilat cenojnë të drejtat kushtetuese të pronësisë.
Çështja “TID Durrës” pritet të bëhet një precedent i rëndësishëm për mënyrën se si trajtohen komunitetet brenda zonave historike, sidomos kur projektet zbatohen pa procese transparente dhe me akte të kontestuara. /Citizens





