Banorët e fshatrave Gjeroven, Mbolan dhe Veleshnje organizuan një protestë para Bashkisë Berat, duke kërkuar përmirësimin e rrugës që lidh këto fshatra.
Në kuadër të protestës, një përfaqësi prej katër personash hyri brenda ambienteve të bashkisë për të zhvilluar një takim me përfaqësuesit e saj dhe për të diskutuar shqetësimet lidhur me gjendjen e rrugës dhe nevojën për ndërhyrje të shpejtë.
Një prej protestuesve tha se ishin pritur nga kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Ceca, ndërsa shtoi se ky i fundit nuk i kishte ofruar zgjidhje. Ai tha se bashkia nuk kishte fonde për të ndërhyrë në këto rrugë, ndërsa shtoi se qeveria i do vetëm për vota.
“Bëmë takim me kryetarin. Ai na tha; nuk kemi fonde për të bërë rrugën. Ai tha; ‘bllokoni rrugën, bëni greva, bëni ça të doni. Nuk pyesim për ju’, na tha. Ata të gënjejnë tërë ditën. Vinë marrin votat dhe pastaj ikin. Nuk na dhanë shpresë, na thanë ‘s’kemi fonde!’”, pohoi njëri nga protestuesit.





