Banorët e lagjes “5 Maji” në njësinë nr. 8 në Tiranës, mëngjesin e sotëm kanë depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme, pasi kundërshtojnë shembjen e banesave të tyre, të cilat preken nga projekti për rindërtimin pas tërmetit si dhe rikualifikimit urban. Pas protestave të vazhdueshme banorët i janë drejtuar sot institucioneve të drejtësisë, ndërsa kërkojnë garanci në lidhje me marrjen e shtëpisë së tyre të re, me vend dhe datë të caktuar. Ato shprehen se nuk kanë firmosur asnjë kontratë me bashkinë, dhe e cilësojnë atë si të njëanshme dhe jo transparente.
Liza Marku banorë në njësinë nr. 8 përsëriti se nuk ka firmosur asnjë kontratë me bashkinë, ndërsa akuzoi policinë se ka kryer sjellje të dhunshme ndaj saj.
“Asnjë lloj kontratë nuk kam, dje nuk arritëm asgjë. Dje sa kam dalë nga takimi me Ramën, tha ‘ti mos u merr me këtë punë, se do marrësh shtëpinë’. Sa dola më morën në telefon nga bashkia dhe më thanë se na tha kryeministri. Policia është sjellë zi me mua, fëmijët m’i nxori zvarrë, edhe mua. Më nxorën zvarrë, mua një plakë 78 vjeçe, turpi i botës. Shkoj e rri aty te shtëpia, nën rrënoja”, tha ajo.
Ato shprehen se kanë besim se SPAK do të nxjerrë në pah gjithë problematikat që ka projekti.
“Ne kemi bërë sot kallëzim në SPAK dhe nuk do të tërhiqemi për asnjë lloj arsye. Gjithë problematika dalin në SPAK. Është dhënë çdo kërkesë, asnjë nga këto nuk ka kthyer asnjë informacion”, u shprehën ato.





