Banorët e 5 pallateve në lagjen nr.5 kanë protestuar sot para bashkisë Durrës, sepse kundërshtojnë të sistemohen në sitin e Spitallës.

Qytetarët pretendojnë se vendimin për mos ndërtimin e pallateve në po të njëjtin vend ua kanë komunikuar në bashki, ndërsa të tjerë janë në pritje të një takimi me kryebashkiaken. Ata e konsiderojnë internim zhvendosjen e tyre në pallatet e reja që po ndërtohen në Spitallë dhe kërkojnë zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave për rindërtimin e godinave në po të njëjtin vend.

“Ne trajtohemi me dy standarte, gjysma e pallateve janë ndërtuar po në të njëjtin vend, kurse ne jemi ata që duan të na çojnë në Porto Romano. Kryetarja e bashkisë bashkë me drejtorin e Rindërtimit na kanë thënë që do të kaloni në Spitallë”.

“Ne kemi marrë një njoftim të brendshëm nga departamenti i Rindërtimit që grupi i pallateve që ka mbetur pa u prishur dhe pa rindërtuar do të kalojnë të gjithë në Spitallë. Ne duam të qëndrojmë aty ku jemi, në lagjen tonë. Bashkia më duket se po luan me dy standarte. Ne nuk do të lëvizim nga ky shesh, jo vetëm sot por edhe në ditët në vijim.

“Para 10 ditësh na është thënë nga zyra e Projektimit në bashki që nuk do të ndërtohet pallati, do shkoni në Kënetë. Kemi bërë kërkesë me shkrim se i kujt është ky vendim që ka dalë mbi kryeministrinë dhe Këshillin Bashkiak dhe nuk kemi marrë ende përgjigje”.

“Një ditë të bukur kryetarja e bashkisë na thotë nuk do rrini aty do shkoni në Kënetë, në internim. Për ne është internim. Pjesa më e madhe e jona janë të sëmurë, me 3-4 sëmundje, me fëmijë të vegjël. Ku do shkojmë atje?”,- deklaruan disa nga qytetarët protestues.

Megjithëse kanë kaluar 3 vite nga tërmeti, një pjesë e pallateve banorët e të cilëve protestuan sot janë ende të pa shembur. Banorët jetojnë prej vitesh në shtëpi me qira, ndërsa bonusin e akordon qeveria Rama. Në sitin e Spitallës janë duke u ndërtuar 1000 apartamente të reja për të pastrehët e tërmetit dhe një pjesë e tyre janë drejt përfundimit.

M.B.