Banorët e Bërxullës kanë vazhduar sërish të protestojnë edhe këtë të mërkurë.
Është e disata herë që banorët e kësaj zone ngrihen në protestë, për shkak se pronat e tyre preken nga projekti i rrugës Thumanë-Kashar.
Gjatë protestës së ditës së sotme ata i bëjnë thirrje institucioneve përkatëse që të bëjnë zhbllokimin e pronave, në të kundërt paralajmërojnë se do të pengojnë punimet për aksin Thumanë-Kashar.
“Pse duhet të zvarritem prej kaq kohësh? Këta banorë vijnë për të drejtën e tyre. I bëj thirrje drejtorit të Hipotekës, nëndrejtorit dhe Dallëndyshe Bicit që të bëjnë zhbllokimin e pronave dhe t’i jepet sa më parë një zgjidhje.Kërkojmë urgjentisht edhe nga kryeministri që atë VKM e 2016 ta zhdukë sa më parë. Kosto është dëmi psikologjik si dhe dëmi ekonomik se nuk mbjellim dot ngaqë nesër do na i prishin.
Nuk na jepet asnjë përgjigje për vlerën e pronës, nuk na jepet përgjigje për akomodimin e këtyre banorëve. Protesta jonë do fillojë 24 orëshe dhe s’do e kenë shansin të hyjnë nëpër zyra. Deri të martën tjetër kanë afat. Këtu po bëhet masakër. Deputetët të bllokojnë nesër foltoren dhe të na japin zgjidhje. Ne jemi popull i thjeshtë, vëmë ultimatum me dokumentacion që të gëzojmë të drejtën tonë”, thanë banorët.
Sipas banorëve kompania Gener2 që ka fituar koncesionin, ka nisur punën në terren pa pasur një leje ndërtimi dhe në kundërshtim me ligjin.