Kanalet e ujërave të zeza që përshkojnë mes për mes zonën e ish-Kënetës në Durrës janë kthyer në një nga shqetësimet më të mprehta për banorët e zonës. Prej shumë vitesh, tashmë kjo zonë është një nga zonat më të ndotura, pavarësisht se është një nga lagjet më të populluara të qytetit.
“Aroma” kundërmuese dhe papastërtia mbizotërojnë në këtë zonë. Banorët shprehen se janë ankuar shpesh në bashki dhe prefekturë në lidhje me këtë problem, por shqetësimi i tyre nuk ka gjetur zgjidhje nga institucionet përgjegjëse.
Në këto kushte, situata mbetet e tillë prej më shumë se 20 vjetësh, ndërsa pushtetarët vijnë një herë në dy vite për të kërkuar votat shtëpi më shtëpi dhe nuk i mbajnë premtimet që japin shprehen banorët për DurrësLajm.
Ndonëse ndodhet vetëm një kilometër e gjysmë larg qendrës së qytetit të Durrësit, mungesa e vëmendjes së pushtetit lokal, ka bërë që kjo zonë të jetë në gjëndje të mjerueshme.
K.H.