E çuditshme, por e vërtetë! Fshati Belcastro në jug të Kalabrisë, Itali ka lëshuar një dekret duke ‘ i urdhëruar’ banorët të mos sëmuren seriozisht. Njoftimi i nënshkruar nga Kryetari i Bashkisë së Belcastro, Antonio Torchia kërkon që njerëzit të shmangin çdo sëmundje që mund të kërkojë ndihmë mjekësore emergjente.
Rreth gjysma e banorëve të Belcastro-s, që janë rreth 1,200 persona, janë mbi moshën 65 vjeç dhe departamenti më i afërt i Mjekësisë së Urgjencës është mbi 45 km larg, tha kryetari i bashkisë. Qendra shëndetësore e fshatit është gjithashtu e hapur herë pas here dhe nuk ofron shërbim gjatë fundjavave, pushimeve ose pas orarit të zakonshëm.
Si pjesë e dekretit, banorëve u është lajmëruar gjithashtu “të mos angazhohen në sjellje që mund të dëmtojnë shëndetin dhe të shmangin incidente shtëpiake” dhe “të mos dalin shpesh nga shtëpia, të udhëtojnë apo të ushtrojnë sporte dhe të pushojnë shumicën e kohës”.
Nuk është e qartë si do të zbatohet ky rregull, nëse do të zbatohet nga autoritetet. Menaxhimi politik dhe ndërhyrja e mafies kanë shkatërruar sistemin e shëndetësisë, i cili ka qenë nën administrim të veçantë nga qeveria qendrore për pothuajse 15 vjet. Komisionerët të emëruar nga Roma kanë pasur vështirësi në përballimin e borxheve të mëdha të spitaleve, duke bërë që banorët e Kalabrisë të vuajnë nga mungesa e personelit mjekësor dhe shtretërve, si dhe listave të pritjes që nuk kanë fund.