Banorët e një pallati shumëkatësh të dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit kanë kërkuar pasditen e sotme një ballafaqim me përfaqësuesit e firmës ndërtuese. Ditët e fundit, në kompleksin e banimit 12 katësh, në lagjen nr.17, në afërsi të Ndërmarrjes së Ujësjellësit, të ndërtuar nga kompania Kastrati shpk, janë paraqitur punonjës ndërtimi për të bërë riparimet. Por kjo gjë është kundërshtuar nga banorët e pallatit, pasi kompleksi shumëkatësh në akt konstatimin e parë të bërë nga Instituti i Ndërtimit rezulton i dëmtuar rëndë dhe rekomandohet “shembja e të gjithë muraturës përveç strukturës së betonit, i cili duket i qëndrueshëm”.

Banorët janë në pritje të akt ekspertimit të dytë, që do të vendosë përfundimisht për fatin e godinës shumëkatëshe, që ka dëmtime të kategorisë DS4 dhe është i shënjuar me të kuqe, gjë që tregon se rrezikon shembjen. Banorët i tremben faktit se firma ndërtuese kërkon të bëjë një riparim të thjeshtë, pa u evidentuar më parë dëmtimet reale që ka pësuar godina, e cila që nga tërmeti i 26 nëntorit është anuar rreth 60 cm.

Dëshmitarët e pranishëm në takimin e organizuar mes përfaqësuesve të firmës ndërtuese dhe komunitetit të banorëve kanë dërguar pranë redaksisë së DurrësLajm disa materiale filmike, ku ndër të tjera dëgjohet përfaqësuesi i firmës kur shprehet se nuk ka asnjë garanci që ky pallat mund të drejtohet!

Ndërkohë, po sipas banorëve, në pallatin e tyre firma ndërtuese ka vënë që në muajin dhjetor 2019 një njoftim ku u kërkohet të boshatisin apartamentet brenda datës 20 dhjetor, pasi pallati do të rikonstruktohet. Por megjithëse punëtorë të firmës ndërtuese janë paraqitur në godinë dy ditët e fundit, në objekt nuk janë ngritur skelat, të cilat vendosen në rastin kur kompanitë pajisen me leje nga bashkia për të kryer punimet në bazë të një projekti të miratuar me leje të përshpejtuar.

Banorët dyshojnë se firma ndërtuese nuk është pajisur me leje, por kërkon të kryejë riparimet thjesht për të mbuluar dëmin e rëndë të shkaktuar në pallat.

Në materialin video dëgjohen qytetarët kur shprehen se nëse godina rrezikon, më mirë të vendoset për shembjen e saj, sesa ata të futen në një pallat që mund t’u rrezikojë jetën në të ardhmen. Banorët i kanë dorëzuar përfaqësuesit të firmës ndërtuese një shkrese të nënshkruar nga të gjithë ata, ku kanë parashtruar kërkesat e tyre ndaj kompanisë dhe do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes.

Banorët thonë se janë të vendosur të mos lejojnë asnjë punim në pallat, përsa kohë nuk ka një akt ekspertimi përfundimtar dhe një leje të dhënë nga autoritetet vendore në Durrës për kryerjen e të gjitha riparimeve të nevojshme.