Banorët e pallatit “Dranova” në Durrës, te lagjja nr. 17 pranë ish-URT-së, dalin kundër vlerësimit të dëmtimeve me nivel DS3 për objektin e tyre.
Një grup banorësh u mblodhën sot në protestë para bashkisë së Durrësit, për të ngritur problemin që i shqetëson prej muajsh: Ata kërkojnë akt-ekspertizë të thelluar nga Instituti i Ndërtimit, teksa akuzojnë se institucionet shtetërore po tallen me rastin në fjalë pasi refuzojnë ta kryejnë këtë ekspertizë.
Sipas shqetësimit që ata ngrenë, vlera prej 5 milionë lekësh të vjetër që është përcaktuar për këtë kategori dëmtimesh, është qesharake, pasi katet e poshtme të pallatit janë të shkatërruara me mure të rëna përtokë, dhe kjo shumë parash nuk iu mjafton as për të rregulluar tualetet e banesës.
“Institucionet po luajnë e po tallen me ne pafund. Në fillim pallati nga një akt-konstatim u vlerësua DS3, pastaj nga një akt-ekspertizë doli DS4 dhe i tillë figuron dhe te zyrat e Rindërtimit këtu në Durrës. Ndërkohë bashkia vazhdon duke na trajtuar DS3. Të paktën nga kati i parë deri në katin e gjashtë muret nuk janë për riparim, janë për rindërtim sepse janë të shkëputura nga kollonat. Nuk kemi siguri, aq më tepër me vlerën qesharake që na kanë lënë me 5 milionë lekë për të rregulluar dëmet”, shprehet banorja e cila thotë se i kanë kthyer përgjigje negative për akt-ekspertizën e thelluar, pasi nuk kanë më fonde.
“Ne duam të vijë ekspertiza e të shohë nivelet e dëmeve, janë edhe kollonat e dëmtuara. Ku të shkojmë me kollona të dëmtuara? Si t’i bëjmë punimet me 5 milionë lekë me të gjitha të rrëzuara përtokë?!”, thotë një banor i moshuar.
“Po bëhet një ngatërresë e madhe. Nuk janë njësoj katet poshtë me ato lart. Dëmtimi ynë në katet e para është shumë i rëndë. Na kanë premtuar në muajin shkurt që do vijnë hyrje për hyrje për konstatim. Shtëpitë tona janë të rrëzuara përtokë. Me 5 milionë nuk bëj dot as riparimet e banjës. Ne kërkojmë nga ekspertët që të vijnë e të firmosin që pallati ynë është i qëndrueshëm nga ana sizmike”, thotë ky banor.
Në kërkesën drejtuar Institutit të Ndërtimit për “Akt-eskpertizë të thelluar mbi verifikimin e subjekteve të dëmtuara nga tërmeti i datës 26.11.2019”, IN i ka kthyer këtë përgjigje:
“Duhet t’i drejtoheni Bashkisë Durrës, pasi pallati juaj është vlerësuar në dëmtime të nivelit DS3 dhe ne si Institut Ndërtimi bëjmë akt-ekspertizat në çdo objekt që vjen me kërkesë nga bashkia Durrës”.
Bashkia Durrës: Do zbatohet pikë për pikë rekomandimi nga Instituti i Ndërtimit “Përforcim i pallatit dhe përshtatje strukturore”
“DurrësLajm” u interesua pranë bashkisë për këtë rast dhe në përgjigjen e kthyer zyrtarisht, bëhet me dije se ka pasur takim më herët me banorët e pallatit “Dranova”, teksa dhe vetë kryetarja e bashkisë ka shkuar për konstatim në ambientet e pallatit.
Bashkia Durrës thekson se do të zbatohet pikë për pikë rekomandimi nga Instituti i Ndërtimit. Aktualisht, tani është faza që do të hartohet projekt-preventivi për ambientet e përbashkëta që do të riparohen nga shteti në bazë të ekspertizës të Institutit të Ndërtimit; çka do të thotë se pallati ka nevojë për përforcime dhe do ndiqen të gjitha procedurat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, përfshirë udhëzimet e dhëna në VKM 26, e datës 15.1.2020.
Rekomandimi i Institutit të Ndërtimit është “Përforcim i pallatit dhe përshtatje strukturore sipas kërkesave sizmike referuar EC”.
Më tej, nga të njëjtat burime zyrtare brenda bashkisë, bëhet me dije se nga pallati “Dranova” 114 familje trajtohen me bonus qiraje, ndërsa për grantin e rikonstruksionit kanë aplikuar 151 famiilje. 138 prej tyre janë shpallur fituese, teksa 72 familje e kanë tërhequr deri më tani shumën e grantit.
S.L.





