Banorët e pallatit të dëmtuar rëndë në lagjen nr. 5 të Durrësit, pas disa protestave të njëpasnjëshme që kanë bërë më parë, sot kanë zgjedhur të protestojnë para prokurorisë së qytetit.
Pallati nr. 8 te rruga “Stefan Dhima”, i dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit konsiderohet i pabanueshëm bazuar në ekspertizat private që banorët kanë bërë me iniciativën e tyre, ndërkohë që nga Instituti i Ndërtimit nuk është marrë një vendim i tillë. Banorët akuzojnë prokurorinë se është bërë palë duke zvarritur procesin dhe duke mos marrë në konsideratë ekspertizat e kryera nga vetë banorët.
“Ne jemi mbledhur sot para Prokurorisë se dosja jonë fle këtu. Krimi fle në Prokurori. Kanë thirrur avokatin tonë dhe i kanë kërkuar që të manipulojë provat. Të gjithë ne si banorë i kemi drejtuar letër Prokurorit të Përgjithshëm, të gjitha ambasadave në Shqipëri, që Prokuroria e Durrësit po mbulon provat. Pallati është çeduar mbi 51,4 cm që e ka nxjerrë ekspertiza, ndërsa tani ka devijuar më tepër”, deklaron një banor.
“Ne jemi në fazën që Prokuroria filloi hetyimet dhe iu desh të bënte matjet me topograf. Matja e dytë topografike ka dalë çedim 51.4 cm, 10 cm më tepër. Me tërmetet e fundit, pallati prapë ka ikur, le të vinë ta matin. Fakti është aty që tregon një gjendje të rëndë! Kërkojmë përshpejtimin e hetimit dhe të nxjerrin përfundimin e dosjes. Të tjera gjëra po na thuhen, po mbulojnë provat”, deklaron një tjetër.
Pallati në fjalë pësoi dëmtime të konsiderueshme që në tërmetin e parë më 21 shtator 2019, ndërsa tërmeti tjetër e përkeqësoi situatën. Pas dy tërmeteve të vitit të kaluar banorët kanë bërë denoncim në prokurori duke paditur ndërtuesit për punime jocilësore. Ata shpresojnë që të merret një vendim për shembjen e tij. Emrat e banorëve kanë dalë edhe në listat e familjeve që përfitojnë dëmshpërblimin e grantit për dëmet e tërmetit, por ata shprehen se nuk do të paraqiten për t’u bërë pjesë e kësaj skeme.
S.L.





