Një grup banorësh të Sukthit kanë përfunduar sot në Prefekturë, duke kërkuar ndihmë e dëmshpërblim për pasojat e rënda të përmbytjeve të 7 janarit. Banorët i kanë kërkuar prefektit, verifikimin e plotë të dëmeve dhe marrjen e masave urgjente për të bërë të mundur dëmshpërblimin në një kohë të shpejtë.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm për situatën e vështirë që ata po përballojnë me forcat e tyre, dhe me aq mundësi sa kemi pasur ne me ndihmat, që nuk ia plotësojnë të gjitha nevojat. 6 grupe në terren të bashkisë së Shijakut dhe 9 të bashkisë së Durrësit, në zonën e Sukthit e të Katundit të Ri, kanë evidentuar dëmet. Dëmet do të mbulohen nga qeverisja vendore, nga 2 bashkitë përkatëse, Shijaku dhe Durrësi. Në rast se nuk do të mbulojnë dot dëmshpërblimet nga fondi i Emergjencës, do t’i kërkohet ndihmë qeverisë”, pohoi prefekti Xhelilaj për “DurrësLajm”.
Deri tani grupet e ngritura kanë evidentuar rreth 450 banesa e biznese, të cilat janë përmbytur tërësisht në Shijak, Sukth e Katund të Ri, si pasojë e daljes së shtratit të Erzenit në 7 janar.
Prefekti tha se pritet që njësitë vendore të mbyllin evidentimet e dëmeve shtëpi më shtëpi. Në Shijak, janë dëmtuar tërësisht 160 banesa dhe 20 biznese, ndërsa pjesërisht u dëmtuan 100 banesa të tjera. Në Sukth, Katund të Ri dhe fshatrat përreth, dëmet ishin edhe më të mëdha. Plot 250 banesa janë evidentuar të përmbytura tërësisht nga Erzeni e të kthyera në të pabanueshme, me dëme që shkojnë në miliona lekë.
K.H.





