600 banorë të lagjes numër 14 në Shkozet të Durrësit, nëpërmjet një peticioni, i kërkojnë pushtetit lokal dhe atij qendror të marrë masa për mbylljen e kolektorit të ujërave të larta që përshkon mes për mes të gjithë lagjen e tyre. Banorët kanë protestuar ditën e sotme, duke bërë prezente edhe problematikën me të cilën përballen. Peticionin me 600 firma e kanë dorëzuar në bashkinë e qytetit, në Ministrinë e Mjedisit, dhe një kopje për kryeministrin Edi Rama.
Kërkesat:
“Kolektori i ujërave të larta është problem kryesor. Në këtë kanal që nis nga zona e Plepave e përshkon zonën e plazhit, Shkozetin dhe Kënetën, në mes të blloqeve të banimit, derdhen ujërat e zeza të qindra familjeve. Po kështu, derdhen mbetjet e dy fabrikave të përpunimit të peshkut, dhe të një thertoreje. Është tmerr, nga era e rëndë, qëndrimi në këtë zonë dhe jetesa këtu… Deri vite më parë, ky kanal funksiononte si kanal kullues, por me shtimin e numrit të popullsisë, ndotja ka ardhur në rritje”, thonë banorët.
“Nuk hapim dot dritaret. Fëmijët nuk mund të qëndrojnë këtu. Era e rëndë të mbyt, sepse në këtë kolektor mblidhen papastërtitë e gjithë Durrësit. Fëmijët na sëmuren shpesh me infeksione të ndryshme. Na është kthyer jeta në ferr!”, shprehet një tjetër banore.
Banorët thonë se paguajnë rregullisht taksat ndaj bashkisë, ndriçim-gjelbërimin krahas faturave të tjera, por këto shërbime nuk ekzistojnë në këtë lagje, si taksapagues ata kërkojnë që të ketë shërbime për taksat që paguajnë.
K.H.





