Rreth 400 familje të fshatit Fermë Xhafzotaj, paralajmërojnë bojkotimin e zgjedhjeve të ardhshme. I gjithë fshati është ngritur në protestë si pasojë e ndotjes së madhe mjedisore, por duke kërkuar edhe plotësimin e kushteve minimale të jetesës. “Nëse nuk do të investojnë për komunitetin, nuk do të votojmë më!”, deklaruan banorët.

Kërkesat:

Banorët kërkojnë pastrimin e kanaleve të ujërave të ndotur, që përshkojnë të gjithë zonën, mbylljen e tyre, shtrimin e rrugëve me asfalt, pastrimin e plehrave, ndriçimin e lagjeve, dhe gjelbërimin në rrugë. Kërkesë e tyre është edhe ndërtimi i një fushe apo parku ku të luajnë fëmijët e tyre. Banorët kërkojnë dhe vendosjen e rrjetit elektrik, të vendosur me investime personale të tyre. Për të gjitha këto kërkesa, banorët paguajnë taksa si shërbime të marra prej tyre ndaj bashkisë. Asnjë prej tyre nuk ekziston në realitet. Për çdo muaj kërkohet të paguajnë taksa e tatimet, të gjitha detyrimet ndaj bashkisë së Durrësit, të cilës i përkasin pas reformës territoriale.

Problematika:

Banorët deklarojnë se në fshatin e tyre funksionojnë disa fabrika pularie dhe rritje derrash, si dhe një impiant i përpunimit të vajit. Të gjitha mbetjet urbane të fabrikave derdhen në një kanal që përshkon të gjithë zonën, paralel me rrugën në të cilën kalojnë fëmijët për në shkollë. Derdhja në kanal e mbetjeve të përpunuara të fabrikës së derrave dhe pularive, e ka kthyer këtë zonë ndër më të ndoturat në të gjithë Durrësin. Nga viti në vit, efektet e ndotjes janë më shumë prezente te fëmijët e vegjël, të cilët herë pas here kanë përfunduar të sëmurë në spital. Banorët deklarojnë se për të gjitha kërkesat e tyre u është premtuar nga deputetët zgjidhje, por asnjëherë nuk është bërë asgjë.

“Të gjithë ata që janë ministra sot nga Durrësi, të gjithë ata që janë deputetë na kanë premtuar, por kanë dalë gënjeshtarë të mëdhenj. Ministri Ilir Beqja erdhi dhe u ul këtu me ne, por tani nuk na hap as telefonin. Nëse na kanë mashtruar deri tani, nuk do të mund të na mashtrojnë më, pa gjetur zgjidhje kërkesat tona”, pohuan banorët.

K.H.