Banorë të Fermë Xhafzotaj, kanë protestuar për një orë mëngjesin e sotëm duke bllokuar rrugën nacionale Durrës-Shijak, pas thirrjes që bëri një emigrant një ditë më parë.

Banorët kanë bllokuar rrugën për rreth 40 minuta, duke kërkuar nga autoritetet rikonstruksionin e saj. Sipas tyre, rruga me dendësi të madhe makinash për shkak se përshkon të gjithë  zonën industriale ka mbi 25 vjet që nuk është rikonstruktuar.

Ndarja e re territoriale ka bërë që Xhafzotaj t’i kalojë bashkisë së Shijakut. Banorët thonë se nuk dinë ku ta gjejnë të drejtën e tyre, sepse bashkia thotë që rruga i përket qeverisë ndërsa qeveria bashkisë.

Ata thonë se për çdo fushatë elektorale u është premtuar ndërtimi i rrugës, por kjo nuk ka ndodhur praktikisht ng asnjë qeveri.

Një dië më parë ishte një emigrant 33-vjeçar i cili protestoi në rrugë me vazo lulesh e kazanë plehrash. Orgest Sinjoni mori edhe lejen në polici për të bërë të mundur protestën e sotme të banorëve.

K.H.