Paralajmërimin e bërë dy ditë më parë, banorët e pallatit nr 15, në lagjen 12 të Durrësit sot e bënë realitet.
Pasditen e sotme, një përfaqësi e 65 familjeve që deri me 26 nëntor 2019 banonin në godinën 11 katëshe pranë Tregut Industrial, kanë nisur zhvendosjen e të gjitha mbetjeve inerte nga shkallët edhe apartamentet që u dëmtuan në shkallën DS3 nga lëkundja e frikshme sizmike.
Në prononcimet e tyre të dhëna për “DurrësLajm“, banorët thonë se kjo eshtë rruga e vetme që u mbetet pas mosnisjes së rikonstruksionit të godinës dhe mosdhënies së bonusit prej 7 muajsh.
Pavarësisht se pallatit i është ndërprerë prej vitesh furnizimi me ujë dhe energji elektrike, ndërsa kabllot janë vjedhur nga hajdutët, disa nga banorët deklarojnë se do të jetojnë në kushte ekstreme duke ndriçiar banesat me qirinj dhe duke e blerë ujin që do të konsumojnë.
“Le t`i mbetet institucioneve shtetërore përgjegjësia për jetën tonë”, deklarojnë banorët teksa këmbëngulin për t`u futur në pallatin e shpallur të pabanueshëm 4 vite më parë.
LEXO EDHE:





