Banorët e zonës së ish-Kënetës kanë kaluar një natë të vështirë për shkak të reshjeve të dendura. Niveli i ujit ka vijuar të rritet, duke përmbytur dhjetëra banesa.

Zona e ish-Kënetës mbetet një nga më të prekurat në Durrës, me qindra shtëpi që kanë ende prezencë uji. Banorët shprehen të shqetësuar, pasi niveli i ujit në banesat e tyre vazhdon të rritet, edhe pse reshjet kanë pushuar rreth orës 12:00.

“Po mbytemi”, është apeli i tyre drejtuar autoriteteve, ndërsa parashikimet meteorologjike flasin për reshje të tjera në orët në vijim, çka rrezikon përkeqësimin e mëtejshëm të situatës në terren.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur se rreth 800 banesa në Durrës janë përmbytur, ndërsa rreth 180 banorë janë evakuuar dhe janë strehuar pranë Kavalishencës së Ministrisë së Rendit dhe asaj të Mbrojtjes.