Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka shkuar në terren në autostradën Tiranë-Durrës për të parë nga afër situatën, ndërkohë që është vënë me "shpatulla pas muri" nga banorët dhe pronarët e bizneseve të prekur nga përmbytjet.
Ai ka diskutuar me banorët, të cilët i janë "vënë" para me pyetje dhe me pakënaqësi.
"Ju kërkoni taksa dreqi e mori, po tani ca do bëjmë ne", tha banori.
Ndërkohë, një tregtar tha se: "Ne jemi të pashpresë, ne jemi biznesmenë, ne jemi kuajt e ekonomisë, pa ne nuk ecën qerrja. Për këtë me vjen keq".
Teksa e ka dëgjuar ministri është shprehur i gatshëm që të ofrojë ndihmën e tij. "Do e shikoj me entin e Rrugëve, të premtoj që do ta trajtoj këtë gjë. Unë jam pjesë e Qeverisë, e shtetit. Kam detyrim të të shërbej deri në 1", i tha Xhafaj.
"E ke gabim, e ke gabim ti zotëri. Ti nuk do na zgjidhësh gjë. Përmbytemi çdo vit, asnjë zgjidhje nga bashkitë. Kemi një vit që jemi në emergjence", i tha një tjetër banor.
Gjatë rrëfimit, një tjetër banor rrëfen dramaën e tij, pasi pohoi para ministrit se shtëpia e tij ishte përmbytur 7 herë dhe se ndëron çdo vit mobiljet. Një i ri është përlotur teksa ankohej dhe Xhafaj i ka dhënë një numër telefoni dhe i ka premtuar zgjidhje.
Deklaratës së një djali, i cili thoshte se kishte telefonuar policinë për ndihmë dhe kjo nuk i kishte ardhur drejtori i policisë i Tiranës deklaroi se institucioni që drejton ai ishte përgjigjur mbi 16 mijë telefonatave që ishin bërë mbrëmë.





