Banorët e pallatit nr. 8 në lagjen 5 në Durrës, te rruga “Stefan Dhima”, kanë protestuar mëngjesin e sotëm, pasi kanë dalë kundër vendimit të Institutit të Ndërtimit në Tiranë, që ka arritur në konkluzionin se objekti ku ata jetonin, mund të riparohet pas dëmeve që u shkaktuan nga tërmeti i 26 nëntorit.

Banorët shprehen njëzëri se është e frikshme të jetosh sërish në atë pallat, pasi ai ka çeduar 42 – 65 cm, nga kati i shtatë në katin e 12-të.

“Instituti i Ndërtimit ka dhënë vendimin final para 10 ditësh se këtu mund të riparohet, kur kjo është e pamundur. Deri në katin e shtatë që është bërë matja, ka çeduar pallati me 42 cm, ndërsa në katin e 12-të mbi 65 cm. Ky pallat ka mundësi të bjerë dita-ditës, jo më të jetosh këtu”, shprehet Bashkim Gjika, banor i këtij pallati.

Ata kërkojnë një tjetër ekspertizë më të thelluar, duke kundërshtuar kështu hapur vendimin e dhënë së fundmi për riparimin e pallatit.

“Problemi ynë ka të bëjë me ekspertizën e thelluar përfundimtare që ka dalë për pallatin tonë. Në ekspertizë parashikohet që pallati mund të riparohet, në një kohë kur vetë ekspertiza shprehet se nuk ka dokumentet e nevojshme për gjykim; nuk ka projektin, nuk ka lejen etj. Kur kemi blerë hyrjet në këtë pallat në vitin 2014, thuhej në dokumentet e lejes së ndërtimit se godina mund të përballonte tërmete me magnitudë deri në shkallën 9, në një kohë kur tërmeti me magnitudë 6,4 pallati ka çedim. Kjo na bën të pasigurt. Ne kërkojmë analizë më të thelluar e kompetente”, thotë një nga banorët

“Shohim shumë mangësi. Ne e kundërshtojmë publikisht këtë akt-ekspertizë. Ata kanë dalë në këtë përfundim, pa bërë studimet siç duhet për këtë pallat. Mungojnë studimet ekzakte”, shprehet një tjetër.