Ndryshe nga qëndrimi i ditëve të para kur Kamal Harris u propozua si kandidate e demokratëve për Presidente, tashmë Barack Obama thotë se e mbështet kandidaturën e saj.

Sipas BBC, ish-presidenti Obama dhe ish-Zonja e Parë Michelle Obama thanë në një deklaratë të përbashkët se ata besojnë se Harris ka vizionin, karakterin dhe forcën që kërkon ky moment kritik.

Obama thuhet se ishte në mesin e më shumë se 100 demokratëve të shquar me të cilët foli Harris pasi presidenti Joe Biden njoftoi të dielën e kaluar se do të tërhiqej nga gara.

Në një deklaratë në atë kohë, Obama lavdëroi largimin e Biden, por nuk e mbështeti Harris.

Zëvendëspresidentja e SHBA-së ka siguruar tashmë mbështetjen e shumicës së delegatëve demokratë, duke e vendosur atë në rrugën për t’u bërë kandidatja zyrtare në konventën e partisë në gusht.

Familja Obama tha në deklaratën e së premtes se ata nuk mund të ishin “më të emocionuar se kaq dhe se e mbështesnin plotësisht Harris”.