Misioni ynë është arritja e barazisë në vendimmarrje dhe fuqizimi i pozicionit të gruas në fushat kyçe të shoqërisë sonë. Ky portal është një mundësi më shumë promovimi, komunikimi, informimi dhe aktivizimi për të gjitha gratë, të cilat duan të japin kontributin e tyre në arritjen e barazisë gjinore si në strukturat vendimmarrëse edhe në shoqërinë shqiptare në përgjithësi
Mimoza Haxhiaj ka përfunduar degën Gjuhë –Letërsi, në Fakultetin Histori- Filologjisë, Universitetin e Tiranës. Tashmë prej 12 vitesh është pjesë e gazetarisë shqiptare dhe ka kryer specializime për gazetari pranë agjencisë italiane të lajmeve “Ansa” në Romë, në “Deutsche Welle” në Gjermani si dhe në rajonin e Ballkanit. Mimoza është pjesë e kategorisë së profesionistëve me ambicie dhe gjithnjë në kërkim të perfeksionimit të mëtejshëm profesional. Ajo investon shumë në këtë drejtim sepse siç pranon dhe vetë pa mundim nuk mund të korrësh asnjë fitim. Aktualisht ajo është duke vazhduar studimet master për Drejtim Shkencor, niveli i dytë “Studimet Europiane dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare”, pranë Universitetit të Barit. Sot, ajo e ushtron gazetarinë si moderatore-ideatore e programit “ Albania News”, pranë stacionit televiziv “Telebari” me qendër në Bari, një program që transmetohet në Itali çdo të shtunë, ndërsa të dielën vetëm për Shqipërinë.
Mimoza, si një vajzë aktive dhe energjike, në objektivat e saj i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edhe barazisë gjinore dhe aktualisht është Koordinatore e Qarkut të Durrësit në Rrjetin e Grave për “Barazi në Vendimmarrje”.
Çfarë përfaqëson organizata e grave “Barazi në Vendimmarrje”?
Kam dëshirë ta nis këtë intervistë me një thënie të industrialistit me origjinë nga Irlanda, Henry Ford: “Bashkimi në grup është fillimi, mbajtja e grupit është progres, puna së bashku është sukses”. Ky është qëllimi i platformës së gruas në politikë dhe në vendimmarrje.
Rrjeti i Gruas “Barazi në Vendimmarrje” është një organizatë jo politike, jo fitimprurëse dhe joqeveritare, është një rrjet i grave aktive në partitë politike, shoqërinë civile dhe media. Ai është themeluar në vitin 2008 me iniciativën e grave, që ishin pjesë e programit NDI (Zhvillimi i Lidërve të Rinj në Politikë, “Gratë në Advokim”). Tashmë rrjeti ka rreth 120 anëtare, përfaqësuese në fusha të ndryshme. Misioni ynë është arritja e barazisë në vendimmarrje dhe fuqizimi i pozicionit të gruas në fushat kyçe të shoqërisë shqiptare. Nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, rrjeti synon të fuqizojë rolin e gruas në Shqipëri dhe të nxisë bashkëpunimin e grave që konkurojnë për poste politike e që vijnë nga administrata publike, shoqëria civile apo media.
Për herë të parë në të gjitha qarqet e Shqipërisë tani do të ketë një platformë virtuale të grave për “Barazi në Vendimmarrje”. Ju si koordinatore e kësaj platforme mund të na thoni se si do të funksionojë?
Kjo platformë është një nismë e Rrjetit të Grave “Barazi në Vendimmarrje” në kuadër të forcimit të infrastrukturës së komunikimit dhe rritjes së pjesëmarrjes së femrave në të gjitha proçeset sociale dhe në strukturat vendimmarrëse shqiptare duke u krijuar atyre shanse për informim më të mirë, për pjesëmarrje më të lartë dhe cilësore në proçeset vendimmarrëse si dhe për mbështetjen e barazisë gjinore, qoftë në vendimmarrje dhe në politikë ashtu edhe në fushat kyçe të zhvillimit të gruas në Shqipëri.
Ky portal është një mundësi më shumë promovimi, komunikimi, informimi dhe aktivizimi për të gjitha gratë, për të gjithë qytetarët, organizatat dhe institucionet, të cilat duan të japin kontributin e tyre në arritjen e barazisë gjinore si në strukturat vendimmarrëse edhe në shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Një informacion më i hollësishëm për të gjitha këto iniciativa gjendet në portalin tonë: www.platformagjinore.al
Çfarë përmban ky portal dhe sa e rëndësishme do të jetë kjo platformë për gratë e qytetit të Durrësit?
Kjo platformë synon të përmbledhë statistikat në lidhje me përfaqësimin gjinor në vendimmarrje dhe t’i bëjë ato të aksesueshme lehtësisht nga çdo qytetar, organizatë apo institucion i interesuar. Portali do të përmbajë gjithashtu informacion për femrat e angazhuara në politikë, biografitë dhe aktivitetet e tyre. Ato do të mund ta përdorin këtë hapësirë për të rritur vizibilitetin e tyre si për të informuar publikun dhe votuesit. Kjo platformë do të bëhet edhe më e aksesueshme për qytetarët shqiptarë, gratë, organizatat dhe institucionet nëpërmjet seminareve informative dhe trajnimeve, të cilat do të zhvillohen në çdo qark të Shqipërisë, si mundësi të reja informimi, bashkëpunimi dhe promovimi të çështjeve me interes për vetë gratë dhe për komunitetin.
Kush janë objektivat specifike të rrjetit tuaj?
Rritja e kontributit dhe shfrytëzimi optimal i potencialit të femrës shqiptare në jetën sociale, politike dhe në fushat kryesore për zhvillimit e vendit. Ky rrjet do t’u ofrojë atyre një instrument më të mirë që do të mundësojë promovimin dhe vizibilitetin e tyre në Shqipëri dhe jashtë saj, do të edukojë vajzat dhe gratë dhe do të përmirësojë ndërgjegjësimin në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në proçeset vendimmarrëse dhe në politikë. Gjithashtu ky rrjet do të mbështesë femrat e reja në krijimin e një qasjeje të drejtë mbi proçesin e votimit, të drejtën për të votuar dhe për t’u votuar, dhe do të lehtësojë një shkëmbimin e informacionit dhe praktikave më të mira të grave shqiptare.