Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala thotë se Shqipëria ka bërë përparime reale sa i takon barazisë gjinore, duke përmendur përfaqësimin 36% të grave në Kuvend dhe integrimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në rreth 10% të buxhetit kombëtar.

Megjithatë, ajo thekson se sfidat mbeten të konsiderueshme, përfshirë hendekun gjinor në paga, pjesëmarrjen e ulët të grave në tregun e punës dhe ngarkesën disproporcionale të punës së papaguar.

“Barazia në letër nuk është barazi në jetë”, u shpreh ministrja gjatë një bashkëbisedimi me studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Shkencave Sociale, mbi Ligjin e ri “Për barazinë gjinore”.

Sala u shpreh se ligji i ri nuk përfaqëson thjesht një rishikim teknik, por një zgjedhje të qartë politike për ta vendosur barazinë gjinore në qendër të zhvillimit, demokracisë dhe mirëqenies.

Takimi u zhvillua në kuadër të javës së 8 Marsit, duke theksuar rëndësinë e barazisë gjinore si një proces i vazhdueshëm zhvillimi demokratik dhe shoqëror. Ministrja Sala vlerësoi rolin e universiteteve si hapësira ku prodhohen ide, politika dhe modele të reja mendimi që ndikojnë drejtpërdrejt në transformimin e shoqërisë.

Sipas saj, ligji i ri “zgjeron detyrimet për institucionet publike dhe sektorin privat, e bën integrimin gjinor detyrim në hartimin e çdo politike publike, njeh për herë të parë punën e papaguar dhe ekonominë e përkujdesit si pjesë reale të kontributit ekonomik, si dhe parashikon kalimin gradual drejt përfaqësimit 50% për secilën gjini në vendimmarrje”.

Mes të tjerash, ministrja Sala theksoi se sfida kryesore mbetet zbatimi i ligjit. Në këtë kuadër, ajo u shpreh se ka nisur hartimin e akteve nënligjore, forcimin e mekanizmave institucionalë dhe riorganizimin e Këshillit Kombëtar për Barazinë Gjinore.

Në përmbyllje, ministrja i ftoi studentët të angazhohen aktivisht përmes kërkimit, analizës dhe debatit publik, duke theksuar se barazia gjinore nuk është çështje përballjeje mes grave dhe burrave, por çështje e cilësisë së shtetit, zhvillimit ekonomik dhe dinjitetit njerëzor.

Ndërsa, përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri, Michele Ribotta gjatë bashkëbisedimit me studentet theksoi se: “Hartimi dhe zbatimi i Ligjit të ri ‘Për Barazinë Gjinore’ është një detyrim që rrjedh nga procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por arsyeja më e rëndësishme e zbatimit të tij është që në thelb ligji i ri transformon jetën tuaj duke zgjeruar hapësirat për akses në mundësi më të gjëra që ndihmojnë të realizoni ëndrrat tuaja”.