Barazim spektakolar në Niko Dovana në sfidën direkte për mbijetesë mes Teutës dhe Kamzës. Përfundoi në një barazim 3-3 që për mënyrën sesi rodhën gjërat la më të kënaqur “Djemtë e Detit”.
Ndërkohë një fitore jetike mori Vllaznia që në Loro Boriçi iu fal një goli të sulmuesit Xhevahir Sukaj nga pika e bardhë e penalltisë për të mposhtur 1-0 Laçin. Rezultoi një sfidë me të vërtetë dramatike ajo e zhvilluar në Durrës me Teutën që e pa vetën shumë shpejtë në avantazh të dyfishtë me golat e sulmuesit Amadu Latif dhe mbrojtësit Alhassan.
Por edhe pse shkoi në epërsi të dy golave skuadra e Gentian Begejës u arrit nga Kamza që zhvilloi një pjesë të dytë fantastike.
Fillimisht realizoi Plaku në të 40-ën, ndërsa në të 76-ën Cukovic barazoi rezultatin për skuadrën nga periferia e kryeqytetit. Në minutën e 90-të Realdo Fili ngriu vendasit duke shënuar edhe golin e 3-të për Kamzën që krijoi iluzionin e fitores.
Por skuadra e Ahmatajt nuk i kishte bërë mirë llogaritë sepse Teuta nuk u dorëzua dhe në sekondat e fundit të shtesës prej 5 minutash që kishte akorduar gjyqtari barazoi në 3-3 rezultatin me një tjetër gol të Amadu Latif në një aksion ku dha ndihmesën e tij edhe portieri Shpëtim Moçka. Me këtë barazim Kamza ruajti avantazhin prej 4 pikësh ndaj Teutës së vendit të parfundit në renditje.





