Tirana dhe Bylisi u ndanë në barazim 2-2 në një ndeshje plot tension dhe polemika, duke e lënë të hapur luftën për mbijetesë. Përplasjet në fushë kulmuan me vendime të diskutueshme nga VAR dhe një tërheqje të përkohshme të ekipit ballshiot nga loja.
Të parët që gjetën rrugën e rrjetës ishin miqtë, me Arli Përgjonin që realizoi golin e avantazhit. Bardheblutë reaguan dhe barazuan me anë të Florjan Përgjonit në minutën e 40. Në pjesën e dytë, Tirana kaloi në avantazh falë një penalltie të akorduar nga VAR, e cila shkaktoi polemika të shumta. Në shenjë proteste, drejtuesit e Bylisit tërhoqën ekipin nga fusha për disa minuta, por më pas vendosën të riktheheshin.
Zharmuni ishte i saktë nga pika e bardhë, duke çuar rezultatin në 2-1 për bardheblutë, por reagimi i Bylisit ishte i menjëhershëm. Ilieski shënoi golin e barazimit, duke vulosur shifrat 2-2, një rezultat që mbeti i pandryshuar deri në fund, pavarësisht rasteve të shumta nga të dyja skuadrat.