Barazimi me Flamurtarin në "Niko Dovana" ka kënaqur "djemtë e detit", ndonëse objektivi primar ishte fitorja. Trajneri Gentian Begeja foli me tone pozitive për performancën e ekipit kundër Flamurtarit, ndërsa theksoi se bregdetarëve u mungon "njeriu-gol".

Çfarë i mungoi Teutës për të fituar?

Kaq kualitetet kemi, mungon një lojtar-goli. Patëm disa raste të volitshme për të shënuar, por mungon një “pykë”. Gjithsesi, me volumin që krijuam, jemi të kënaqur, pasi golat do të vijnë në ndeshjet e ardhshme. E rëndësishme ishte që nuk pësuam.

Ekipi luftoi shumë, duke mos e ulur ritmin për asnjë moment. Çfarë i kishit thënë përpara ndeshjes?

Kjo ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe të gjithë ishin gati të jepnin maksimumin në fushë. Gjatë javës kemi punuar shumë, por mbi të gjitha e kam motivuar shumë ekipin dhe ata na e shpërblyen në fushë me performancën që zhvilluan.

A jeni të kënaqur me barazimin, ndonëse në fillim objektiv kishit vetëm fitoren?

Të jem realist, synimi ynë ishte të merrnim fitoren, por mos harroni se përballë kishim një ekip shumë të fortë. Flamurtari ndodhet në vend të dytë në klasifikim dhe ka bërë një kampionat shumë të mirë, ndaj edhe barazimi nuk është keq. Ne treguam një nivel të lartë.

Mund të themi që kjo ishte një pikë morali?

Nëse do të kishim marrë fitoren, atëherë do të flisnim për moral dhe rikthim, por besoj se edhe barazimi është rezultati i kënaqshëm. Gjithsesi, po të kishim marrë një pikë në Shkodër dhe një pikë me Luftëtarin, do flisnim ndryshe tani.

Rrezikoni shumë, por duke parë performancën e ekipit, si e shikoni duelin për mbijetesë me Vllazninë?

Ndodhemi të parafundit dhe gjithçka në këtë moment është e vështirë, por ne nuk duhet të shohim klasifikimin dhe se çfarë bën kundërshtari. Fokusi ynë duhet të jetë në fushë dhe te ndeshja e radhës. Jemi një ekip në rritje dhe këtë e tregojnë qartësisht performancat tona. Gara do të jetë e ashpër, por nëse luajmë me karakter dhe personalitet si sot, do të ngjitemi shumë shpejtë në klasifikim.

Ndeshja me Kamzën është e një shkalle të lartë vështirësie, me çfarë ambiciesh shkoni atje?

Në ndeshjet e fundit ne kemi ardhur në rritje dhe kjo nuk është e vështirë për t’u kuptuar, edhe pse nuk kemi marrë pikët që meritonim, si në ndeshjen me Luftëtarin, ashtu edhe në atë me Vllazninë, ndërsa kundër Flamurtarit barazimi ishte një rezultat i drejtë.