Ndeshja miqësore mes Teutës dhe Erzenit është mbyllur në barazim 2- 2. Durrsakët janë të parët që mundohen të shënojnë golin e avantazhit me atë të Hoxhës dhe Maganit, por nuk ia kanë dalë, ndërsa loja zhvillohet më shumë në mesfushë dhe ka ndërhyrje të rënda nga lojtarët e dy skuadrave.

Në pjesën e dytë, trajnerët bëjnë edhe zëvendësimet e rastit dhe golat nuk mungojnë. Një gabim i mbrojtësve të Teutës i jep mundësinë Lleshit të shënojë një gol të bukur, duke kaluar në avantazh ekipin e Erzenit në minutën e 53-të. Durrsakët hidhen në sulm, por lënë hapësira në prapavijë dhe kjo i jep mundësinë Rramillit të shënojë dhe golin e dytë, pas një krosimi nga e djathta. Begeja aktivizon Raboshtën e të riun Mara dhe loja e skuadrës së tij ndryshon. Është ky i fundit që arrin të shënojë dy gola në harkun kohor të 10 minutave.

Ndeshja e djeshme ka pasur vëmendjen e presidentit durrsak Hasanbelliu, i cili e ka ndjekur takimin në praninë e ish-trajnerit Ahmataj dhe Akil Jakupit. Trajneri Begeja u ka tërhequr vëmendjen lojtarëve të tij që t’i marrin më seriozisht seancat stërvitore dhe ndeshjet miqësore.

“Jam disi i kënaqur me barazimin. Lojtarët e kishin marrë më lehtë sesa duhet ndeshjen dhe di të them që me disa titullarë jam i pakënaqur. Për mua titullar është ai lojtar që stërvitet mirë dhe i merr me seriozitet si ndeshjet miqësore, edhe seancat stërvitore”, ka deklaruar tekniku pas takimit.

Ndërsa tekniku i shijakasve, Dorian Bubeqi u shpreh: “Jam i kënaqur, pasi skuadra luajti mirë, por duhet më shumë përqendrim. Ishim në avantazh të dyfishtë, por lëshuam në disa momente, kur duhej të tregoheshim më të kujdesshëm.

Gjithsesi, duke pasur parasysh se Teuta është një ekip i madh dhe që bën pjesë në Superiore, duhet të përgëzoj lojtarët e mi për atë çfarë dhanë në fushën e lojës”, ka thënë Bubeqi.