Xhenaro Gatuzo nuk ishte i lumtur për barazimin në Udine. Bindja që u krijua pas shtrëngimit të duarve në fund të ndeshjes me mikun dhe rivalin Odo u konfirmua në konferencën për shtyp, gjatë së cilës tha: “Nga takimi i sotëm më ka mbetur një shije e hidhur sepse bëmë ndeshjen më të mirë të vitit. Kartoni i kuq na penalizoi, por kur ke në fushë të rinj, të tilla episode mund të ndodhin dhe duhen pranuar si pjesë e lojës. Nuk kam një skuadër të ashpër, e megjithatë, ky është kartoni i gjashtë sezonal për ne. Përvoja nuk blihet në supermarket, ndaj mund dhe duhet të mësojmë nga këto gabime”.

Teksa u ndal tek analiza e ndeshjes, trajneri kuqezi theksoi se: “Barazimi në Udine edhe mund të pranohet. Ne jemi një skuadër në ndjekje të rivalëve dhe objektivave. Në repertorin tonë mungojnë goditjet rezultat vrasëse sepse shanset për dyfishim rezultati i krijojmë, por për fat të keq nuk dimë t’i shfrytëzojmë. Fundja Roma nuk u ndërtua brenda një dite”.

Sulmuesi më në formë, por Kutrone as që zbriti në fushë. Në lidhje më vijën e parë të skuadrës, Gatuzo mbylli konferencën duke sqaruar se: “Andre Silva ka cilësi të mëdha dhe ndeshja e tij më pëlqeu, thjesht duhet të jetë më agresiv përpara portës. Kutronen nuk e aktivizova sepse kisha nevojë për dikë si Kaliniç, që di të futet në thellësi. Nëse shikoni statistikat, do të vini re se me mua sulmuesit kanë luajtur pak a shumë të gjithë të njëjtin minutazh”.