SPANJE, 17 mars 2013 – Barcelona ka regjistruar fitore  formale përballë Rayo Vallecanos. Takimi i zhvilluar në “Camp Nou” përfundoi me rezultat 3-1 në favor të ekipit vendas.

Të dyja skuadrat e nisën mirë takimin duke krijuar raste që me kalimin e minutave bëheshin gjithnjë e më të shpeshta nga katalanasit. Përmendim goditjen e shtyllës nga Leo Messi dhe një moment i dyshimtë penalltie për miqtë.

Pas një kundërsulmi në minutën e 25-të, Iniesta pasoi te Messi, i cili shkoi në drejtim të zonës dhe asistoi tek David Villa. Spanjolli shënoi golin e avantazhit. 

Pa përfunduar pjesa e parë, Villa ia ktheu ‘borxhin’ argjentinasit, duke i dhënë një top të artë për shënimin e golit të dytë. 

Kjo ishte ndeshja e 18-të radhazi në të cilën 25-vjeçari shënon. Në pjesën e dytë, Messi shënoi golin e 42-të këtë sezon në 28 ndeshje në La Liga.

Që do të thotë, mesatarisht, 1.5 gola për ndeshje, një shifër mahnitëse. Golin e nderit për miqtë e realizoi Raul Tamudo, pas asistimit të Pitit. 

Barcelona tashmë është 13 pikë para Realit të Madridit dhe shkon e qetë drejt titullit kampion të La Ligës. Në ndeshjet e tjera, Espanyol fitoi 2-0 në transfertën e Malagas, ndërsa Sevilla shkatërroi 4-0 Zaragozën. Fitore arriti edhe Atletico Madrid 2-0 ndaj Osasunës, ndërsa Granata e Levante u ndanë në barazim 1-1.